Një grup i mjekëve të pakënaqur, që nuk kanë arritur të regjistrohen në specializim, në një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë ka kërkuar që të anulohet në tërësi konkursi për specializime.
Sipas këtyre mjekëve, protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, shkruan sot, gazeta Zeri.
Një grup i mjekëve të pakënaqur me mënyrën sesi Ministria e Shëndetësisë ka ndarë specializimet e mjekëve ka protestuar për rreth dy orë të hënën para këtij dikasteri qeveritar. Ata kërkojnë anulimin komplet të procedurave të konkursit të specializimeve, të shpallur ditë më parë nga Ministria.
Valmir Idrizi, njëri nga kandidatët që nuk ka arritur të regjistrohet në specializim dhe që i përket grupit të të pakënaqurve, ka thënë se ka pasur parregullsi të mëdha në tërë procesin. Andaj, sipas këtij grupi të mjekëve, po kërkojnë anulimin e procedurave të konkursit dhe procedimin e këtij konkursi që nga fillimi.
“Protesta jonë ka zgjatur më se dy orë, por askush nga zyrtarët e as nga kabineti i ministrit të Shëndetësisë nuk është paraqitur për të na dalë përpara, për të na dhënë një përgjigje”, ka thënë Idrizi. Ai është shprehur se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtat të tyre derisa të mos ndodhë ajo çfarë po e kërkojnë – anulimin e konkursit