Misteri që fshihet pas skandalit të "Panama papers"

E përditshmja franceze “Le Monde” ka ndërtuar një skemë ku ilustrohet panorama e plotë e marrëdhënies së klientëve nga e gjithë bota me firmën panameze “Mosak Fonseka”. Gjithçka nis me një klient të pasur që kërkon të paguajë sa më pak taksa.
Ai mund të hapë drejtpërdrejt një llogari bankare në një bankë zvicerane, por zbehja e vazhdueshme e sekretit bankar në Zvicër vitet e fundit, e bën këtë operacion financiar tepër të rrezikshëm.

Kësisoj, klienti i drejtohet avokatit të tij financiar, i cili e këshillon të krijojë një shoqëri offshore, në vende me sistem fiskal të dobët, apo inekzistent, apo siç quhen ndryshe “Parajsa Fiskale”.

Por vetë avokati kurrsesi nuk mund të merret personalisht me sigurimin e shoqërisë offshore, ndaj i drejtohet studios ligjore me bazë në Panama “Mosak Fonseka”.

Ajo merret me formalitetet administrative, zgjedh parajsën fiskale të përshtatshme për nevojat e klientit.

“Mosak Fonseka” krijon mjedisin e duhur tregtar që i mundëson klientit të fshehë lidhjet e tij me shoqërinë offshore, përmes atyre që quhen të emëruar, administratorë apo aksionerë fiktivë që firmosin kontrata të shumta pa bërë asnjë punë. Eksistenca e tyre është aq fiktive, sa të njëjtët persona mund të figurojnë në mijëra shoqëri njëherësh.

Nëse “Mosak Fonseka” e kryen mirë punë e saj, klienti pasurohet çdo ditë, por pa dalë asnjë herë në dritë. Nëse aktiviteti i shoqërive offshore është gjithmonë brenda kufijve ligjorë, atëherë ndërlikohet puna e autoriteteve financiare që merren me luftën kundër mashtrimit fiskal, larjes së parave dhe informalitetit.

Artikulli paraprakA na dëmtojnë valët e Wi-Fi
Artikulli vijuesErdogan: A keni dëgjuar ndonjëher deri tani ‘terrorizëm kristian‘, ‘terrorizëm hebre‘ apo ‘terrorizëm ateist‘?