Dorëheqja e kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku, i cili është dënuar për krime lufte ka krijuar një atmosferë të madhe garuese në këtë komunë.
Por kjo garë nuk është duke u bërë ndërmjet partive politike, por brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pasi që Drenasi njihet si bastion i kësaj partie dhe ka qeverisur që nga paslufta.
Krerët e PDK-së kësaj radhe do ta kenë të vështirë që të zgjedhin kandidatin që do të garojë për kryetar të Komunës së Drenasit. Kjo edhe për faktin se në këtë komunë nuk ka ndonjë personalitet të njohur që është krijuar ndër vite, pasi që Nexhat Demaku konsiderohej i pa konkurrencë, edhe pse është raportuar për afera të ndryshme korruptive dhe keqpërdorime të shumta gjatë qeverisjes së tij.
Tani PDK i ka dy kandidatura që duhet t’i përzgjedhë. I pari është Naim Bazaj, aktualisht kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit. Ai njihet si komandat lufte dhe njeri me autoritet në Drenas. Raportet e tij me PDK-në kanë pasur edhe luhatje, pasi që vite më pari ai pati kaluar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Bazaj ka disa ditë që ka nisur fushatën e brendshme, duke shkuar në lagje ne fshatra të ndryshme për të kërkuar mbështetje. Ai është i bindur se do ta fitojë garën për të parin e Drenasit, ndërsa ka deklaruar se këtë post do ta fitojë edhe nëse PDK nuk e kandidon fare.
Naim Bazaj është duke pritur një përgjigje nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, për t’i hyrë edhe zyrtarisht garës për të parin e Drenasit. Edhe pse ndërkohë fushatën për vete e ka nisur, ende pa u shpallur nga Presidenti i vendit data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të kësaj komune.
Ai ditë më parë ka deklaruar se edhe në rast e PDK nuk e përzgjedh atë si kandidat në garën zgjedhore, do të synojë postin e kryetarit të Drenasit, si kandidat i pavarur. “Mua më kanë nominuar elektorati në Drenas, bashkia më e madhe e jona, që i ka 5800 votues janë zotuar se nuk lëshojnë pe dhe do të më mbështesin pa marrë parasysh a do të jem kandidat i PDK-së, apo jo. Nëse nuk jam, i pavarur do të dal, dhe fitoren e kam bindëse. Kam marrë nënshkrimet e këshillit drejtues, kryesisë dhe drejtuesve të nëndegëve, të cilat personalisht ja kamë dërgu kryetarit Kadri Veselit”, i ka thënë Bazaj.
Edhe Xhavit Drenori synon kandidimin
Kandidati i dytë serioz për t’u kandiduar për kryetar të Drenasit është Xhavit Drenori. Ai është një profil krejt i ndryshëm nga Naim Bazaj. Ai është shkolluar jashtë vendit, ndërsa aktualisht është kandidat për doktoraturë. Drenori me aktivitetin e tij si asamblist ka krijuar një profil të ri të politikanit, jo vetëm në Drenas, por në gjithë Kosovën.
Edhe pse i takon PDK-së e cila udhëheq në Drenas dhe ka shumicën absolute të asamblistëve, Drenori për çështje të ndryshme që janë në interes të qytetarëve, ka kritikuar dhe akuzuar edhe bashkëpartiakët e tij, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani në Kosovës, sepse dihet se shpesh përfaqësuesit e popullit kanë mendime tjera, por nuk guxojnë t’i thonë publikisht, ata deklarohen, veprojnë dhe votojnë si u thotë partia. Por Drenori edhe pse i përket PDK-së ai është “opozitari” më i madh në Kuvendin Komunal.
Ai ka kritikuar pushtetin lokal për keqqeverisje, punësime me favorizime, nepotizëm, ndërsa ka bërë edhe padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët e komunës në projekte të ndryshme. Ai për çdo vit ua dërgon votuesve të tij në shtëpi raportin njëvjeçar të punës së Kuvendit Komunal të Drenasit dhe aktivitetin e tij gjatë asaj periudhe kohore. Praktikë kjo e panjohur në Kosovë deri më tani.
Drenori ditë më parë ka deklaruar se ka marrë mbështetje nga krerët e PDK-së Kadri Veseli dhe Enver Hoxhaj, por mbetet të shihet vendimi final. Ai ka thënë se Drenasit i duhet një kryetar që e ndryshon filozofinë e qeverisjes e cila ka qenë deri më tani.
Gjithashtu edhe Drenori këto ditë ka nisur takimet me qytetarë të Drenasit për të marrë përkrahjen e tyre.
Kadri Veseli prej ardhjes në krye të PDK-së, ka tentuar vazhdimisht që të shpërfaqë një udhëheqje më “moderne”, me tendencë që t’iu jap hapësirë kuadrove të ri, e jo edhe aq atyre që kanë dalë nga lufta. Në rastin e Drenasit e ka sfidën më të madhe, të zgjedh mes një ish-komandanti dhe një kandidati që nuk e ka këtë bagazh, por ka krijuar një model të ri të një politikani. Drenori gjithashtu ka fituar simpatinë e shumë qytetarëve, të cilët në fillim të këtij viti kanë nënshkruar një peticion duke e kërkuar atë për kryetar të komunës.
Lladrovci i gatshëm ta braktisë postin e ambasadorit
Këto ditë është shfaqur si kandidat i mundshëm edhe Ramiz Lladrovci, i cili është ambasador i Kosovës në Shqipëri. Ai është shprehur i gatshëm që ta braktisë këtë post nëse PDK e kandidon për kryetar.
“Nëse Kryesia e Partisë Demokratike dhe drejtuesit e lartë të saj do të më afrojnë marrjen përsipër të kandidimit tim në detyrën e Kryetarit te Komunës së Drenasit, vendlindjes sime, atëherë do të jem i gatshëm që, duke lënë detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, t’i përkushtohem një detyre të re, dhe këtë do e beja me të gjithë atë përkushtim që kam realizuar me punë edhe funksione të tjera”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai thotë se kjo është vetëm shfaqje e gatishmërisë së tij, pasi që në adresë të tij nuk ka ardhur dhe nuk është bërë asnjë propozim apo bisedë konkrete. /tesheshi