Si rrallëherë, në parlamentin turk ka një qëndrim të përbashkët kundër puçit ushtarak

0
888

Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë është mbledhur dje pasdite në një seancë të jashtëzakonshme për të dënuar puçin ushtarak të së premtes.

Brenda sallës së parlamentit ka patur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, jo shpesh të ndeshur në seancat parlamentare. Dhjetëra ambasadorë kanë qenë të pranishëm në seancë, duke filluar nga ai amerikan. Mijëra njerëz po ashtu gjendeshin në hapësirën jashtë sallës së parlamentit, duke i dhënë mbështetje pushtetit legjitim.

Fillimisht është mbajtur një minutë heshtje për të vrarët gjatë puçit ushtarak. Eshtë pritur me duartrokitje në sallë hyrja e kryeministrit, e po ashtu dhe e shefit të opozitës, kryetarit të partisë kryesore opozitare, CHP, i cili e dënoi grushtin e shtetit që në momentet e para.

Krejt ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, kur dhe pas akteve terroriste në vend nuk ka qenë e mundur të gjendet gjuha e përbashkët në parlament, të katër partitë parlamentare janë shprehur këtë herë njëzëri për një deklaratë të përbashkët që e dënon pa mëdyshje grushtin e shtetit.

“Ata që u përpoqën ta rrëzojnë qeverinë e zgjedhur nga populli, janë rrëzuar prej popullit. Sot është dita kur të gjitha partitë i thanë jo puçit; bashkëpunimi në parlament do të ketë një nisje të re”, deklaroi Binali Jëlldërëm, kryeministri i vendit.

Në fjalën e tij, kryetari i republikanëve, Kemal Këllëçdarogllu, do të thoshte: “Deputetët e të gjitha partive politike përqafuan demokracinë kundër përpjekjes për grusht shteti.”

Puçi zbuloi armiqtë e fshehtë në ushtrinë turke, tha numri një i nacionalistëve të MHP-së, Devlet Bahçeli, duke i dënuar përgjegjësit për 161 viktimat.

Përfaqësuesit e HDP-së, partisë së kurdëve, e dënuan ashpër po ashtu puçin. /tesheshi.com/