Numri i veturave elektrike në vitin 2035 do të përbëjë 5.5 perqindëshin nga totali i veturave në botë
Numri i automobilave elektrik nga 1.2 milionë në vitin 2015, do të rritet në 100 milionë në vitin 2035, thuhet në parashikimin e fundit të British Petroleum (BP), raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i veturave në nivel global, përfshirë konvencionalet dhe ato elektrike do të rritet dukshëm gjatë viteve të ardhshme, më konkretisht nga 900 milionë në vitin 2015 në 1.8 miliardë në vitin 2035, të cilën BP ia atribuon shtimit të të ardhurave dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore.
Numri i veturave elektrike në vitin 2035 do të përbëjë 5.5 perqindëshin nga totali i veturave në botë. “Rreth një e katërta e këtyre automjeteve elektrike janë hibride, të cilat lëvizin me energji elektrike dhe karburant, dhe tre të katërtat janë vetëm me bateri elektrike”, thuhet në raport.
Raporti nënvizon se depërtimi i veturave elektrike në treg do të varet nga ritmi i rënies së çmimit të baterisë, nga sasia dhe qëndrueshmëria e subvencioneve si dhe nga politikat qeveritare të cilat do të përkrahin veturat elektrike.
“Në vitin 2015 është llogaritur se veturat shpenzojnë rreth 19 milionë fuçi të karburantit të lëngshëm, një e pesta nga kërkesa e përgjithshme. Pra, dyfishimi i kërkesës për automjete në 20 vitet e ardhshme do të thotë dyfishim edhe të kërkesës për karburant të lëngshëm”, thotë BP.
BP vuri në dukje se rritja e makinave elektrike do të sjellë zbutjen e kërkesës për naftë, edhe pse efekti është shumë më i vogël.
“Rritja e numrit të veturave elektrike në 100 milionë do të pakësoj kërkesën për naftë për 1.2 milion fuçi në ditë”, thuhet në raportin e British Petroleum.