Koci: Kah mesi i majit mund të ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale
Pas miratimit të rregullores nga Gjykatësit e Dhomës së Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, e cila i hap rrugë ngritjes së aktakuzave për të dyshuarit, nuk ka pengesa ligjore që nga mesi i muajit maj mund të ngritën aktakuzat e para.
Ky është vlerësimi që jep avokati Arianit Koci. Ai për lajmi.net ka treguar se pas miratimit te Rregullores se Procedurës dhe Provave e cila ndodhi sot, Gjykata Kushtetuese i ka 30 dite t’i jep vërejtjet e veta eventuale.
Pas këtij afati, sipas tij, nëse nuk ka vërejte, Rregullorja hyn ne fuqi pas 7 ditëve.
Koci pa ashtu ka paralajmëruar një verë të ‘nxehtë’ pas fillimit të ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.
“Nuk ka pengesa ligjore qe kah mesi i majit, të ngritën Aktakuzat e para. Sidoqoftë, a do te ngritën në Maj apo pak me vone, kjo ka pak rendësi dhe nuk dua te spekuloj me data”.
“Infrastruktura ligjore po kompletohet dhe do ta kemi një verë te ‘nxehte’, është shprehur Koci për lajmi.net.
Të martën Gjykatësit e Dhomës së Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, kanë miratuar rregulloren e Procedurës dhe të Provave, ka njoftuar përmes një kumtese Dhoma e Specializuar.
Sipas njoftimit, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të Gjykatës Speciale, do të ketë tridhjetë ditë për shqyrtimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, për të përcaktuar nëse rregullorja është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Me këtë rregullore, sipas njoftimit të Dhomës së Specializuar, i kushtohet rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë të rrezikuar për shkak të dhënies së dëshmisë, ose bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara.
Rregullorja e procedurës dhe e provave hyn në fuqi shtatë ditë pasi Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të ketë vendosur mbi kushtetutshmërinë, thuhet në kumtesën e Dhomës së Specializuar.
Sipas njoftimit, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara funksionalizohen tërësisht në aspektin gjyqësor.
Sipas Dhomës së Specilizuar, rregullorja e Procedurës dhe e Provave synon që “të fuqizojë paanësinë, drejtësinë, shpejtësinë, efikasitetin, ndershmërinë dhe sigurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara, duke respektuar njëkohësisht Kushtetutën dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut”.
Në kumtesë gjithashtu bëhet me dije se gjatë seancës plenare gjykatësit kanë miratuar edhe dy dokumente të tjera që kanë rëndësi për funksionimin e Dhomave të Specializuara – Kodin e Etikës Gjyqësore dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara./ Lajmi.net/