ShtëpiaLajmeEurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein vizitë në Shqipëri
Eurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein vizitë në Shqipëri
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian, eurodeputeti David McAllister dhe eurodeputeti tjetër Knut Fleckenstein kanë vizituar sot Shqipërinë, në kuadër të zhvillimit të negociatave për ndërprerjen e protestës dhe bojkotit parlamentar nga opozita në Shqipëri, që vazhdon që prej 18 shkurtit, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht dy eurodeputetët janë takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, në ambientet e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, pa praninë e mediave. Rama dhe Meta pas përfundimit të takimit që ka zgjatur rreth një orë nuk kanë bërë deklarata për mediat.
McAllister dhe Fleckenstein kanë takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëkohësisht liderin e opozitës, Lulzim Basha.
Dy eurodeputetët synojnë që të bindin drejtuesit e maxhorancës dhe opozitës që të arrijnë një marrëveshje, me qëllim që të mos shtyhen zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 18 qershor.
Kujtojmë se që prej 18 shkurtit të këtij viti, opozita në Shqipëri vazhdon bojkotin parlamentar dhe protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Dje opozita organizoi protesta në disa qytete të vendit, duke përsëritur kërkesën e saj për krijimin e qeverisë teknike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kundërshton kërkesën e opozitës për qeveri teknike, duke theksuar se zgjedhjet do të mbahen me qeverinë që ai drejton dhe në datën e përcaktuar.