Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të ndajë 219 mijë euro për familjarët e të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e Kumanovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë. Këto mjete u tha se ndahen për mbulimin e shpenzimeve të familjarëve, të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë.
“Janë 219 mijë euro që ndahen për mbulimin e shpenzimeve te familjeve të të dënuarve dhe te vrarëve në Rastin Kumanova”, tha kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka sqaruar po ashtu se çdo familjeje të të dënuarve dhe të vrarëve do t’u takojnë nga 10 mijë euro, duke e obliguar Ministrinë e Financave për zbatimin e vendimit.
Në rastin e njohur si “Kumanova”, ishin akuzuar 37 persona, prej tyre 19 nga Kosova.
Më 2 nëntor, Gjykata në Shkup dënoi me 746 vjet burg të akuzuarit për përleshjet në Kumanovë gjatë të cilave u vranë tetë policë të Maqedonisë dhe 10 persona nga grupi i armatosur.
Më 3 nëntor në Prishtinë u protestua për dënimet e shqiptuara në rastin “Kumanova”, ndërkaq edhe vet kryeministri Ramush Haradinaj doli para protestuesve, duke u premtuar atyre angazhimin për të proceduar këtë rast në një rigjykim ndërkombëtar.