Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka folur për rezultatin e kësaj partie në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Ai ka thënë për Gazeta Blic, se pritjet për fitore kanë qenë më të mëdha, dhe në rënien e kësaj partie kanë ndikuar komplotet e partive tjera, të cilat janë bashkuar kundër PDK-së.
“Normal pritshmëritë kanë qenë me të mëdha, ka qenë një komplot i tërë i orientuar kundër kandidatëve të PDK-së, megjithatë përpjekjet kanë qenë të jashtëzakonshëm të PDK-së, edhe të udhëheqjes dhe angazhimi i madh i Veselit, që të korrim suksese në Komunat e mëdha, si p.sh në Prizren jemi ende në pritje që të fitojmë, sepse janë edhe votat me kusht që duhet numëruar”, tha Haliti në deklaratën e dhënë për Gazeta Blic.
Haliti shtoi më tej se pavarësisht rezultateve të tanishme, PDK dhe degët duhet të përgatiten që të reflektojnë në betejat tjera.“Në fund të fundit, është verdikti i popullit, gara është fer, PDK dhe degët duhet të përgatiten që të reflektojnë në betejat tjera, sepse kjo është një lojë politike, rëndësi ka që zgjedhjet kanë shkuar mirë pa probleme dhe me siguri ata që nuk kanë fituar si kandidat apo parti, do ta bëjmë analizën dhe do të dalim me sqarim për opinionin”, ka pohuar ai.
Ndërsa, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK ka fituar vetëm 5 komuna, rezultate këto jo të kënaqshme për këtë parti./GazetaBlic/