Shteti i izoluar bëri këtë njoftim në vazhdën e kremtimit të suksesit nga testi i fundit i një rakete balistike të martën
Koreja e Veriut pretendon se ka përmbushur objektivin për t’u shndërruar në një shtet, “forcë bërthamore”, e aftë të godasë secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Shteti i izoluar bëri këtë njoftim në vazhdën e kremtimit të suksesit nga testi i fundit i një rakete balistike të martën.
Koreja e Veriut ka shkrepur një raketë tjetër në drejtim të Japonisë
Ekspertët ushtarakë të Koresë së Jugut thonë se projektili ka fluturuar 960 kilometra mbi ujërat e hapur, ndonëse janë të mendimit se raketa do të mund të përshkonte 13.000 kilometra nëse nuk do të lançohej me një kënd të pjerrtë siç është bërë.
Pheniani zyrtar lajmin e transmetoi si shumë të rëndësishëm, ndërkohë që agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, tha se testi ka përfshirë raketën Hwasong-15, e aftë të kryej një sulm bërthamor në secilin cep të SHBA-ve.
Lançimi i fundit u bë pas një pauze dy mujore në të cilën Pheniani nuk kishte kryer asnjë test bërthamor, megjithatë në një njoftim të lëshuar të mërkurën, Koreja e Veriut tha se “do të ndërmerr të gjitha përpjekjet në shërbim të paqes dhe stabilitetit në botë”.
Koreja e Veriut shpesh justifikon zhvillimin e armëve bërthamore si kundërpërgjigje ndaj agresionit të pretenduar amerikan.