Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot tre të akuzuarit për vjedhje grabitqare në “Albi Mall” që rezultoi me vrasjen e Nazmi Ramadanit në fund të marsit të vitit 2015.
U dënua edhe i akuzuari i katërt për ndihmë në kryerjen e vjedhjes që përfundoi me vrasje.
Gjykata dënoi Leutrim Sadikun me dënim unik 20 vjet e 6 muaj burg, Liridon Bekën me 17 vjet e 6 muaj burg, Shpëtim Cakollin me 15 vjet burg dhe Anduan Rexhepin me 4 vjet e 6 muaj burg.
Të katërve do t’u llogaritet në dënim edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Nën këtë masë sigurie Shpëtim Cakolli qëndroi nga 8 prilli i vitit 2015, Liridon Beka e Leutrm Sadiku nga 10 prilli i 2015-ës, ndërsa Ajduan Rexhepi nga 4 prilli i atij viti.
Gjithashjtu gjykata vendosi të konfiskohet arma me numër Ev1341927 si mjet me të cilin është kryer vepra penale, ndërsa vetura BMË X5 iu kthye pronarit.
Sipas aktakuzës, Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku akuzoheshin për vjedhje grabitqare në lokalin “Don Café”, në “Albi Mall”, e cila rezultoi me një përleshje ku mbeti i vrarë Nazmi Ramadani.
I akuzuari i katërt, Anduan Rexhepi, sipas prokurorisë ishte në rolin e shoferit dhe akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë të qendrës tregtare, dhe e kishin zbuluar arkën ku mbahej pazari ditor, roja tani i ndjerë i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta.
Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit kishte shtënë katër herë në të ndjerin. Roja në “Albi Mall” Nazmi Ramadani ishte vrarë më 30 mars 2015. /Kallxo.com/