Gjykata Speciale në Kuvend para 20 janarit, VV do të qëndrojë në sallë
Treshja udhëheqëse e vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk kane hequr dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
Burime të Gazetës Blic brenda koalicionit qeverisës kanë bërë të ditur se qysh me rifillimin e punës së Kuvendit, do të tentohet shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
“Para datës 20 janar do të shkojë në Kuvend projektligji i cili do ta shfuqizoj këtë gjykatë. Thaçi, Veseli e Haradinaj nuk kanë hequr dorë nga ky synim”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Ndërkohë merret vesh se VV nuk do ta pengoj këtë proces.
Siç mëson Gazeta Blic nga burime të saja brenda VV-së, kjo parti nuk do të bëjë pengesë në këtë drejtim.
“Deputetët e VV-së do të qëndrojnë në sallë dhe nuk do ta pengojnë shfuqizimin e kësaj gjykate”, tha ky burim.
Ndryshe, para 10 ditësh 43 deputetë kishin mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme ku do të shfuqizohej kjo gjykatë.
Thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme i kishte paraprirë një peticion i nisur nga shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, më 23 dhjetor kishte dështuar mbajtja e kësaj seance, për faktin që VV dhe LDK e bojkotuan mbledhjen e Kryesisë, duke pamundësuar kuorumin, dhe kësisoj thirrjen e seancës.
Ky hap i liderëve të vendit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte nxitur reagime të shumta ndërkombëtare.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie ka theksuar se ky veprim i liderëve të vendit është thikë pas shpine ndaj SHBA-ve. Edhe me i ashpër ishte ambasadori britanik, O’Connel, i cili veprimin e liderëve të vendit për shfuqizimin e Speciales e ka quajtur si natën më të rëndë për Kosovën që nga lufta.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se kjo gjykatë do të ishte ngarkesë për Kosovën dhe do ta dëmtonte imazhin e vendit.
“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imazhin e vendit”, tha Ramush Haradinaj.
Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se asnjë iniciativë e qytetarëve dhe deputetëve që është në përputhje me Kushtetutën nuk është përplasje me bashkësinë ndërkombëtare. /GazetaBlic/