Gjykata e Tbilisit e ka shpallur të fajshëm ish presidentin gjeorgjian, Mikheil Saakashvili për abuzim të pushtetit lidhur me një vrasje të vitit 2006, duke e dënuar në mungesë me tri vite burgim.
Gjyqtari, Giorgi Arevadze, ka shpallur sot vendimin kundër Saakashvilit, i cili ishte president i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri më 2013.
Gjykata e ka gjetur fajtor Saakashvilin për abuzim të fuqisë së tij si president, duke tentuar të fshehë të dhëna për vrasjen e punëtorit të bankës, Sandro Girgvliani, dhe faljen e katër burrave që ishin të dënuar për vrasje.
Girgvliani, ishte udhëheqës i departamentit për të huaj në Bankën e Bashkuar Gjeorgjiane.
Ai ishte gjetur i vdekur më 2006 jashtë Tbilisit me shumë plagë, pasi ishte parë teksa ishte fjalosur në një lokal me zyrtarë të ministrisë së Brendshme.
Vrasja e Girgvlianit dhe mosgatishmëria e autoriteteve për të hetuar vdekjen e tij, ka rezultuar me kriticizëm të ashpër në qeverinë e Saakashvilit.
Saakashvili që tani banon në Ukrainë, ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat kundër tij, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.
Më herët Ukraina ka refuzuar kërkesat e autoriteteve të Tbilisit për të ekstraduar Saakashvilin në Gjeorgji.