Këshilla – Lodhja për t’u çuar, sikleti pas drekës, kafeja e domosdoshme për t’u zgjuar… Tashmë pranvera pothuajse ka ardhur dhe bashkë me të edhe lodhja e përgjithshme që ajo u shkakton njerëzve. Ja se si ta luftoni…
Lodhja dhe mungesa e energjive janë karakteristikë e pranverës: zgjimi në mëngjes është i vështirë, gjatë ditës pothuajse të gjithë ndihen pa fuqi dhe pa dëshirë për të bërë aktivitete të ndryshme. Por këto gjendje, natyrisht jo të dëshirueshme, mund të luftohen me një ushqyerje të balancuar, të pasur me fibra dhe vitamina. Fillojeni ditën me përbërësit tipikë të kësaj periudhe, si për shembull me fasulet. Bishtajoret, në fakt, ju japin energji, falë proteinave që përmbajnë. Më poshtë do të njiheni edhe me disa ushqime të tjera të cilat do t’ju ndihmojnë shumë për t’iu dhënë energji në këtë prag pranvere.
Shpargu ka efekt pastrues
Shpargu ju ndihmon që të pastroheni dhe të luftoni mbajtjen e ujit: konsumojini sa më shumë në këtë periudhë për të qenë më të lehtë.
Makaronat integrale
Makaronat integrale ju ndihmojnë që të mos ndjeni asnjë lloj bezdie në stomak, pasi ato janë të pasura me fibra dhe ju japin ndjesinë e ngopjes pa ngrënë shumë. Shmangni salcat e rënda, si për shembull ato me mish dhe shfrytëzoni perimet e stinës.
Orizi i kuq ju ndihmon me gjumin
Është provuar se orizi i kuq ju ndihmon të flini në mënyrë sa më të qetë. Një pjatë në darkë në ditët më të vështira mund t’ju japë qetësinë e duhur dhe orët e gjumit që i keni të nevojshme do t’i bëni të plota e më pas do të ndiheni më mirë.
Qitro është e pasur me vitaminë C
Vitamina C në këtë periudhë tranzicioni stinor jep energji dhe lufton sëmundjet e fundit, si ftohjen dhe gripin që vijnë nga dimri. Nëse jeni mërzitur nga portokalli, provoni qitron. Një qitro në mëngjes, ose edhe lëngu i tij, janë të duhurit për ta nisur ditën mbarë.
Uji pastrues
Thjesht uji me limon (ose portokall) dhe mente (ose borzilok) është pastrues, aromatik dhe pranveror. Do t’ju ndihmojë që të keni më shumë etje për ujë gjatë ditës, ndërsa organizmit tuaj do t’i heqë të gjitha toksinat e dimrit.
Frutat e thata japin energji
Ato janë vërtet kalorike, por, nga ana tjetër, këshillohet që të konsumohen çdo ditë: merrini me vete në zyrë për t’i ngrënë si një lloj vakti të vogël ose shtojani kosit për mëngjes. Në këtë mënyrë do të merrni gjithë energjitë për të cilat keni nevojë.
Gabimet që duhet të shmangni gjatë kësaj periudhe?
Është e rëndësishme që të mos rrëmbeheni nga dembelizmi për të shmangur çdo gjë që mund të lodhë trupin. Mos i përqendroni të gjitha kaloritë në një vakt, por kujdes edhe me aktivitetin fizik. Sporti i tepërt, ose e kundërta, mungesa e tij pas periudhës së dimrit janë të dyja sjellje që duhet të shmangen. I pari e lodh më shumë organizmin, i dyti pengon pastrimin nga toksinat (helmet) e akumuluara gjatë dimrit. Në të njëjtën mënyrë, për të shmangur përkeqësimin e ndjesisë së lodhjes, shmangni ushqimet që kërkojnë një proces tretje veçanërisht të lodhshëm për organizmin.
Përpiquni të shmangni ekspozimet e gjata në parqe apo fusha, të cilat mund të shkaktojnë alergjinë. Për sa u përket ushqyerjes, për 70 për qind të ekspertëve ajo është një nga elementet kryesore për të luftuar sëmundjet që lidhen me ndryshimin e sezonit. Krahas ushqyerjes së lehtë dhe të shëndetshme, është e rëndësishme të pini shumë ujë për të ndihmuar organizmin që të dizintoksikohet.
Aktiviteti fizik i rregullt është i nevojshëm për të mbështetur ushqyerjen e shëndetshme. Kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët dhe të moshuarit, imuniteti i të cilëve rezulton të jetë më i dobët përballë ndryshimeve të stinës.
N.A
Burimi: Donna Moderna