A duhet lejuar mbulesa për femrat në Policinë e Kosovës?

Përderisa mbulesa paraqitet si obligim për femrat myslimane, disa nga institucionet shtetërore në Kosovë nuk e lejojnë një gjë të tillë. Në institucionet në të cilat është e ndaluar një gjë e tillë, është edhe Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani dispozitat e rregullores së Policisë së Kosovës zbatohen për të gjithë personelin e Policisë së RKS-së.
“Ekzistojnë procedurat ligjore, udhëzimet administrative dhe rregulloret e brendshme të PK-së që përcaktojnë detyrat, përgjegjësitë, sjelljet, kodin e etikës, standardet e uniformës dhe autorizimet e punonjësve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Kelani për Telegrafin.
Kelani po ashtu ka shtuar se ekziston rregullorja për standardet e uniformës dhe furnizimit të zyrtarëve policorë me uniformë policore dhe me rroba civile, si dhe standardet e veshjes së stafit civil, e cila përcakton rregullat dhe standardet e uniformës policore, rrobave civile përderisa personeli policor janë në kryerje të detyrës, me qëllim që të krijohen standarde unike për mënyrën e bartjes së uniformës dhe dukjes së personelit policor.
E kjo gjë për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, është një shkelje e të drejtave të njeriut.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë së kemi të bëjmë me shkelje të drejtave të njeriut, pasi që sipas tij, në shtetet demokratike lejohet që edhe policet femra të mbajnë mbulesë.
“Është e drejtë e secilës femër police që të mbaj mbulesë nën uniformës e policisë. Në shtetet Evropiane dhe Perëndimore të gjitha femrave të cilat mbajnë mbulesë iu është përcaktuar uniforma me mbulesë”, ka thënë Sadriu, duke pranuar se edhe ashtu, BIK-u nuk është se ka bërë ndonjë kërkesë të tillë drejtuar institucioneve përkatëse.
Ndërsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për Telegrafin se nuk është shkelje e të drejtave të njeriut pasi që policia është në shërbim shumë specifik dhe e ka të përcaktuar uniformën.
Sipas tij, të gjithë ata të cilët hyjnë nëpërmjet policisë dhe ushtrisë apo disa shërbimeve të cilat janë shumë specifike e kanë të ditur se si duket uniforma e policisë.
“Mendoj që nëse një police të Policisë së Kosovës nuk i lejohet uniforma me mbulesë, atëherë kjo nuk është shkelje e të drejtave të njeriut sepse paraprakisht i ka pranuar ato kushte. Mbulesa tek ne po keqpërdoret. Mbulesa duhet të përdoret si diçka personale”, konsideron Shala.
Ndryshe në Policinë e Kosovës janë të punësuar 8981 punonjës, prej të cilëve 7885 janë zyrtarë policorë, ndërsa 1096 staf Civil. 86.06% e personelit të PK-së i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 13.94% gjinisë femërore, prej të cilëve 83.75% i takojnë përkatësisë etnike shqiptare, ndërsa 16.25% i takojnë grupeve tjera etnike.
Ditë më parë, mediat botërore kanë raportuar se njëri ndër vendet evropiane pritet tua lejojë policeve myslimane që edhe gjatë aktivitetit të tyre zyrtarë të bartin mbulesën.
Bëhet fjalë për Policinë e Skocisë e cila pritet ta bëjë edhe mbulesën (hixhabin) si pjesë të uniformës, për siç thuhet në përpjekje për të tërhequr më shumë gra myslimane për të reflektuar diversitetin e popullsisë së vendit.
Po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara është duke u rishikuar ligji, i cili pas 200 vjete do të ketë ndryshime. Edhe pse akademia i përmbahet uniformës së unifikuar, Sena Hamza refuzoi të largon mbulesën e saj me shami në një prej akademive ushtarake në Karolinën jugore. “E dija se vendimi im do të shkakton debate të shumta për shkak të pasqyrës së muslimanëve që e japin mediat sot”, por nga ana tjetër është befasuar këndshëm me numrin e madh të atyre që e kanë përkrahur. Ishte shkak për të qenë titulli kryesore në lajme dhe shkaktoi debat mbi liritë fetare. Sena një vajzë 17 vjeçe insiston në veshjen e saj me shami dhe ka aspirata që të bëhet eprore në marinën amerikane. Si duket edhe akademia ushtarake do të ndërron ligjin e vet mbi uniformën e unifikuar, i cili është i vjetër që 200 vjet.

Kur këto shtete që muslimanët janë pakicë e kanë marrë këtë hap, atëherë çfarë mbetet për vendin tonë ku muslimanët janë shumicë?

images
Ndërsa një police në Kosovë, është përjashtuar nga puna pasi ajo ka filluar të mbaj shami. Indira Mujaj ishte shkolluar për police dhe i takon gjeneratës së 31-të të PK-së. Prej 01.08.2005 ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit. Më pas ajo transferohet në Mitrovicë 2008/2010, ndërsa prej shtatorit të vitit 2010 nga policja ka kaluar në staf civil.

Aty ka shërbyer deri më 06.07.2015 kur ka vendosur të vëjë shaminë në kokë (mbulesën fislame). Nuk shkoi shumë kohë ajo u suspendua me arsyetimin se me shaminë e saj nuk e kishte respektuar kodin e veshjes së stafit civil.

Në vendimin e Komisionit të Brendshëm Disiplinor thuhet se e akuzuara Indira Mujaj ishte paraqitur në vendin e punës në Stacionin Policior Jugu në Mitrovicë me shami në kokë.
Veprimi i të akuzuarës bie në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës 04/2015, Parimet dhe Procedurat e Policisë së Kosovës. Parimi 4.10 si dhe Kodin e Etikës – Standardin e veshjes së stafit civil të punësuar në Policinë e Kosovës. Në bazë të këtyre e përmendura është suspenduar nga puna që shërbente si staf civil jo police me uniformë deri më datën 12.12.2015 ku me këtë datë asaj i është ndërprerë përfundimisht marrëdhënia e punës.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i palës së dëmtuar, znj. Mujaj. Ajo në ankesën e saj ka sqaruar se në asnjë moment nuk ka shkelur ligjin dhe argumentin e saj e ka mbështetur në rregulloren e QRK-së – nr. 04/2015 që flet për kodin e mirësjelljes në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, nenin 22 – Veshja dhe paraqitja e nëpunësit civil.

Më tej, znj. Mujaj ka shpjeguar se ka shërbyer me përkushtim gjatë gjithë këtyre viteve sa ka qenë police po ashtu si staf civil duke treguar profesionalizëm, seriozitet dhe ndershmëri duke mbrojtur kështu imazhin e institucionit të PK-së dhe vendit të saj. Por pavarësisht agrumenteve të saj që ajo kishte paraqitur, ankesa iu refuzua. Tani rruga e saj mbetet procedimi i rastit të saj në organet e drejtësisë.

Nëse bëjm një kërkim të thjeshtë në internet shohim se shumë police besimtar muslimane mbajnë shami dhe punojnë si police, e këto modele duhet të sjellen edhe në Kosovë, për të mos pasur dallime dhe selektime vetëm se një femër mbart shami. Tek e fundit është zgjedhja e saj mbajtja e hixhabit, ndërsa mos kryerja e punës ndershëm nënkupton largimin nga Policia./KohaIslame

Artikulli paraprakKu jeni ju të Lëvizjes BESA tash në Ramazan nuk po ju shohë askund ?!
Artikulli vijuesNikoliq falënderon Rumaninë për mosnjohjen e Kosovës