A e ka tradhëtuar Meta mikun e ngushtë Haradinaj për Demarkacionin?

Të përqëndruar tek të tjera çështje të ditës, pakkush, dhe sidomos në Shqipëri, është vëmendësuar në deklarimet e kreut të Kuvendit shqiptar, Ilir Meta, në një konferencë shtypi me homologun e tij kosovar, Kadri Veseli.

Kryeparlamentari shqiptar është shprehur “pro” versionit qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, duke “tradhëtuar” kështu mikun tij Ramush Haradinaj, kundërshtar i flaktë i tij.

“Dua të theksoj mbështetjen tonë të plotë dhe të pa ekuivok për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Kjo është jetike dhe vendimtare, jo vetëm për të përfituar liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni dhe për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, ashtu sikurse do të ishte edhe një kontribut tjetër për të përfunduar me sukses anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”, tha Meta.

Dihet miqësia e ngushtë e Metës me Haradinajn, provuar së fundi kur kreu i Kuvendit të Shqipërisë ishte politikani i parë nga Shqipëria që erdhi në zyrën e AAK-së pas arrestimit të Ramushit në Francë, ndërsa ky i fundit ishte mysafir nderi në Konventën e LSI-së më 3 dhjetor të 2016-tës.

Haradinaj ka tjetër hall tani e nuk mund të shprehet për qëndrimin e shprehur nga Meta. Ndërsa nga partia e tij, AAK, kanë një tjetër version lidhur me pozicionimin e Metës.

Tesheshi.com kontaktoi me disa zyrtarë të kësaj partie, prej të cilëve morri përgjigje se deklarata e Metës nuk bën të keqinterpretohet, ndërkohë që shprehen se dhe miqtë mund të mos pajtohen për çështje të ndryshme.

“Ramush Haradinaj i ka prirë kundërshtimit gjithëqytetarë, ndryshe do të vazhdojmë të jemi po ata kundërshtar të këtij versioni të Demarkacionit. Nga këndi im nuk besoj që miqësia Haradinaj – Meta ndikohet nga deklaratat politike, sepse ajo është miqësi vëllazërore, siç mund të jenë dy shqiptarë miqë. Për ndryshe për këtë do të duhej të pyeteshin, z.Haradinaj dhe z.Meta”, tha Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.

Kurse zyrtari tjetër i kësaj partie, Avni Arifi e shpjegoi ndryshe qëndrimin e Metës. Sipas tij, ky qëndrim është në vijë me atë të Ramushit, pasi edhe ky i fundit është që të bëhet Demarkacioni me Malin e Zi veç jo në versionin aktual.

 

Artikulli paraprakBiznesi me vizat gjermane në Kosovë: Ja sa para fitojnë agjencitë për një vizë pune
Artikulli vijuesVushtrria, kampione me investime