A ka ndryshuar LDK qëndrim ndaj Gjykatës Speciale?

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Gjykatës Speciale. Lidhja vazhdon ta kundërshtojë iniciativën e disa deputetëve që kjo gjykatë të shfuqizohet.

Kështu ka deklaruar për ‘Gazeta Blic’ deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani.

Ai theksoi se LDK nuk është parti që ka synim t’i prishë raportet me shtetet evropiane, e në veçanti me SHBA-në.“Në kemi qëndrimin tonë, ne as nuk jemi ata që e kemi sjellë këtë e as nuk ju kemi gezu gjykatës, qëndrimi jonë është shumë publik, nuk jemi parti që luan apo manipulon me shtetet e Bashkimit Evropian e sidomos me SHBA-në”, është shprehur Osmani.

Ndërsa i pyetur se çfarë hapash do të ndërmarrin si parti, nëse arrihet që të procedohet në kuvend një ligj i tillë, Osmani tha së nuk mund të flas tash për shkak se nuk ka asnjë iniciativë konkrete.“Nuk është proceduar asgjë deri më tash, ajo nismë më parë ka qenë një dështim, deri tash nuk ka asnjë iniciativë konkretë, sepse nënshkrimet janë tërhequr dhe nuk ka procedurë të rregullt”, përfundoi deklaratën Osmani.

Ndërkohë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, nuk kanë hequr dorë deri nga iniciativa e tyre për zhbërjen e kësaj gjykate, shkruan Gazeta Blic.Që të tre, kanë pohuar se një Gjykatë e tillë është padrejtësi për Kosovën, andaj duhet të zhbëhet.

Ndërkaq, ditë më parë 43 deputetë kishin mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme ku do të shfuqizohej kjo gjykatë.

Thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme i kishte paraprirë një peticion i nisur nga shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithatë, më 23 dhjetor kishte dështuar mbajtja e kësaj seance, për faktin që VV dhe LDK e bojkotuan mbledhjen e Kryesisë, duke pamundësuar kuorumin, dhe kësisoj thirrjen e seancës.Ndërsa këtë nismë e kanë kundërshtuar ashpër shtetet e QUINTIT.Ata kanë paralajmëruar se një iniciativë e tillë, është shumë e dëmshme për Kosovën dhe të ardhmën e saj në BE, shkruan Gazeta Blic.

Madje ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie ka theksuar se ky veprim i liderëve të vendit është thikë pas shpine ndaj SHBA-ve./Gazeta Blic./

Artikulli paraprakHashim Thaçi dhe Daut Haradinaj pritet të akuzohen nga Gjykata Speciale
Artikulli vijuesDorëheqjet në Vetëvendosje ‘pastrim’ apo ndarje?