Njëri prej Mësuesve të mi damaskenë, kishte shpërndarë një ngjarje reale të ndodhur diku në kryeqytetin sirian. E lexova me vëmendje dhe, duke qenë se e njoh mirë shpirtin e bujarisë, bamirësisë, humanizmin dhe altruizmin e muslimanëve damaskenë, ngjarjen e regjistruar vendosa ta ndaj edhe me ju, me qëllimin e përfitimit dhe dobisë.
“Kur e përfundova faljen e namazit të xhumasë, dje, një burrë bri meje më dha selam, pastaj më pyeti: A ke ndonjë nevojë, të ta kryej?
Me shumë habi ia ktheva: Falemnderit prej teje, o vëlla i nderuar, por nuk kam asnjë nevojë!
Pastaj, ai u kthye nga personi që kishte në krahun tjetër dhe i drejtoi të njëjtën pyetje. Personi në krah të tij ishte një punonjës pastrimi, i cili kur e dëgjoi pyetjen e zotërisë, u skuq në fytyrë dhe nuk foli asnjë fjalë. (A mund të pyetet një punonjës pastrimi nëse ka nevoja?!)
Zotëria nuk hezitoi, nxori një shumë të hollash dhe ia drejtoi punonjësit të pastrimit, i cili, nga ana e tij u gëzua pa masë dhe u largua duke u lutur për bamirësin anonim…
Nuk m’u durua dhe e pyeta menjëherë: Kush është zotëria juaj?
– Jam pedagog në universitet! -, ma ktheu.
– A e bën shpesh këtë veprim? -, e pyeta.
– Po! -, vazhdoi pedagogu. – Sepse, unë nuk kam arritur ku kam arritur në jetë, vetëm se nga ky veprim dhe kjo pyetje!
Dhe nisi të më tregonte historinë e tij…
– Dikur, e falja namazin e xhumasë tek një xhami afër universitetit që po ndiqja. Isha tepër i mërzitur atë të xhuma. Babai sapo më kishte vdekur. Ai ishte personi i vetëm që shpenzonte për krejt familjen. Papritur, një zotëri, që po falej bri meje, u kthye dhe më pyeti: A ke ndonjë nevojë, mor bir?
Menjëherë e kuptova se ai ishte njeri serioz dhe bamirës. – Po! -, i thashë. – Kam nevojë të shlyej këstet e shkollimit…
– Si urdhëron! -, ma ktheu. – Më trego, ku duhet të shkoj, më jep emrin e saktë dhe nesër inshallah shko e merre kuponin e pagesës së kryer! Për çdo vit do veproj në këtë mënyrë, derisa të diplomohesh, me mbarësinë e All-llahut!
– M’u mbushën sytë me lot dhe u luta shumë për të. – Si të ta shpërblej këtë mirësi? -, e pyeta.
– Kur të diplomohesh dhe të fillosh punën, drejtoja përherë të njëjtën pyetje atyre që ke në krah, pas përfundimit të namazit të xhumasë. Dhe, po mësove se dikush ka një nevojë, kryeja po munde. Në këtë mënyrë ma shpërblen edhe mua këtë mirësi! -, ma ktheu.
– Dhe, me të vërtetë, o vëlla, ai vazhdoi të më paguante shkollimin, derisa u diplomova dhe u bëra pedagog në universitet.
Çdo vit e vizitoja, për t’i dhënë lajmin e mirë te përfundimit me sukses të vitit akademik, derisa ndërroi jetë, vitin e diplomimit tim! Tash, jam në rrugën e amanetit të tij, derisa të kem jetë…” – (Marrë nga Mohammad Gh.)
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 tetor 2016