A mund ta shijojmë pa frikë orizin?

Personat të cilët rregullisht konsumojnë oriz zakonisht hanë më shumë perime, fruta, bishtajore, dhe janë përgjithësisht më të shëndetshëm, zbulon një studim i ri i botuar në revistën “Food and Nutrition Sciences”.

Në një studim të shkencëtarëve amerikanë kanë marrë pjesë më shumë se 14.000 persona të rritur. Ata gjatë hulumtimit i kanë informuar shkencëtarët për çdo gjë që kanë ngrënë dhe pirë.

Kur hulumtuesit i analizuan rezultatet, zbuluan se personat të cilët rregullisht hanë oriz, në përgjithësi kanë një lloj më të shëndetshëm të dietës se personat të cilët e hanë orizin rrallë apo nuk e hanë fare.

Pjesëmarrësit, dieta e të cilëve përmban oriz, kanë konsumuar më shumë fruta, perime dhe drithëra integrale. Në këtë mënyrë, ata e kanë përmbushur nevojën ditore të trupit për të gjitha mineralet dhe vitaminat.

“Do të ishte mirë që sa më shumë të jetë e mundur të hani karbohidrate komplekse, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i menjanojmë plotësisht edhe ato të thjeshtat”, tha udhëheqësja e studimit, prof. Amy Goodson, duke shtuar se “bilanci dhe moderimi në të gjitha gjërat janë çelësi për një dietë të shëndetshme”.

Ky nuk është studimi i parë që tregoi se orizi kontribuon në një dietë të shëndetshme. Një studim nga viti 2009 tregoi se duke shtuar oriz në planin e ushqyerjes, ne e rrisim konsumin e kaliumit, fibrave, mishit, perimeve dhe bishtajoreve.

Orizi ka reputacion të keq pa arsye. Karbohidratet janë një burim i shkëlqyeshëm i energjisë. Gjithashtu, shkencëtarët këshillojnë që të keni kujdes me porcionet e orizit, gjysmë filxhani oriz për një vakt është i mjaftueshëm.

Artikulli paraprakPajisja e re Nexus me hapësirë të madhe
Artikulli vijuesKanada: Pegida organizon protestë anti-islame