A mund të mbijetojë BBC dhe media britanike?

A do të jetë kriza aktuale që po “gllabëron“ BBC-në gozhda e fundit në qivurin e medias britanike, e dobësuar tashmë? DW diskuton nëse liria e shtypit mund të mbijetojë dhe besimi i publikut të rivendoset.
“Kjo është Londra”. Këto fjalë të pavdekshme nuk mund të shprehen për një kohë të gjatë në buletinet e lajmeve të Shërbimeve Botërore të BBC-së, por korporata që çon botën tek Britania, dhe Britaninë tek bota, prej një kohe të gjatë ka qenë një përfaqësi e besueshme në një botë të ndryshueshme vazhdimisht.
Paanshmëria dhe saktësia ishin dy karakteristikat që përshkruanin BBC-në, ose të paktën kështu mendonte çdokush. Por për momentin, duket se BBC-ja po mbështetet tek vetja, “si në një shtëpi prej letre”, siç vëren Claire Fox. Ajo është gazetare dhe komentuese, njëkohësisht edhe drejtore e qendrës studimore të medias britanike, Institutit të Ideve.

Rotacion drejtuesish
Kriza më e fundit ku u përfshi korporata u ndez për shkak të një skandali seksual ku përfshihej ish-drejtuesi i njohur dhe për shumë kohë i dashur nga publiku, Jimmy Savile. Ky i fundit i kushtoi vendin e punës drejtorit të përgjithshëm të sapoemëruar të BBC-së George Entwistle dhe menaxherëve të tjerë në nivele të larta drejtuese.
Pati spekulime të ethshme edhe në lidhje me mbulimin e një ngjarjeje. BBC protestoi se editori Peter Rippon (i cili tashmë është lënë gjithashtu mënjanë), kishte tërhequr historinë për arsye editoriale. Por ky argument u hodh poshtë nga politikanët, dhe pjesa e mbetur e shtypit nisi pyetjet rreth BBC-së dhe bëri thirrje për një rishikim tërësor në kulturën dhe praktikat e saj.
Por a ekspozon në fakt skandali në fjalë probleme më thelbësore që lidhen me praktikën e medias moderne në Mbretërinë e Bashkuar?

Liria e shtypit e kërcënuar?
Media e printuar britanike ka marrë gjithashtu një goditje përgjatë 18 muajve të fundit, si rezultat i skandalit të përgjimeve, i cili kërcënoi rrëzimin e perandorisë Murdoch, dhe ekspozoi një sërë veprimesh të pista “në zemër” të shtypit tabloid. Tashmë po vijon një proces hetimor publik rreth shtypit britanik, kryesuar nga Lordi Leveson.

Claire Fox mendon se dy skandalet kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe se furia e akuzave mund të marrë fund, duke krijuar një shtyp më pak të lirë. “Mendoj se hetimi Leveson ka qenë një përvojë krejtësisht shkatërruese për median,” thotë Fox, “sepse e kemi parë veten të përfshirë në një situatë ku liria e shtypit është në një situatë të kërcënuar. Shumë gazetarë seriozë menduan se nuk do të ndjeheshin të kërcënuar nga Leveson, siç u ndjenë në rastin e tabloidit, dhe bënë një dallim të madh mes vetes dhe ´gazetarisë së gjirizit´. Mendoj se së pari duhet mbrojtur liria e shtypit.”

Një ‘stuhi perfekte’?
Kjo situatë, mendon ajo, ka krijuar ´stuhinë perfekte´ të kushteve ku shumë njerëz po bëjnë thirrje për më tepër rregulla për gazetarët. Dhe ata të cilët akuzohen nga Leveson për praktika të gabuara, janë ´të etur për gjak´ kur shohin se edhe BBC ka bërë gjëra të gabuara.

Drejtori i Transparency International, Chandu Krishnan, është gjithashtu i shqetësuar për shëndetin e shtypit britanik. Ai mendon se hetimi Leveson evidentoi dy probleme thelbësore: “Njëri problem është se marrëdhënia mes sektorëve të caktuar në media dhe anëtarëve të caktuar të fushës politike është shumë mikpritëse për një situatë të rehatshme. Problemi i dytë është shkalla e lartë e përqendrimit të pronarit mbi median.”

Politikanët dhe shtypi
Tani që mbulesa u hoq, gjithçka shihet me pikëpyetje. Kryeministri britanik David Cameron pranoi në dëshminë e tij përpara Lordit Leveson, se marrëdhënia mes politikanëve dhe medias ndonjëherë mund të jetë “shumë e rehatshme.”
Javën e kaluar, Nadine Dorries, anëtare e Parlamentit, bëri me dije se do të shfaqej në një emisionin televiziv, duke nënkuptuar se do të braktisë funksionin e saj për katër javë me radhë. Ajo pretendon se do t´u japë një mesazh njerëzve nëpërmjet kësaj pjesëmarrjeje, sepse spektakli ndiqet më shumë se sa debatet parlamentare. “Ne kemi humbur shumë respekt për përçimin e historive të reja dhe të drejtpërdrejta, dhe kjo është plotësuar nga komentet dhe jo analizat, çka kanë krijuar shumë gazetarë të famshëm,” thotë Fox.

Në kërkim të gazetarisë së vërtetë
“Një nga gjërat më fisnike të gazetarisë, ose më e mira mund të thoja, është instikti për të vërtetën, hetimin dhe ekspertizën e lajmit,” i tha Fox DW. Por ajo mendon se në vitet e fundit kjo është lënë mënjanë për shkak të reklamave dhe zbavitjes./dw

Artikulli paraprakHelmet mund të jenë zgjidhja për dhimbjet kronike
Artikulli vijuesKrijohet “Lëvizja Çame”