Europa po plaket, i duhen 250 milionë emigrantë

Ndërsa kriza e refugjatëve po i merr Europës shumë energji e diskutime, duket se fluksi i refugjatëve çuditërisht mund të mos ishte vetëm me pasoja negative. Kjo, pasi “për të mbajtur në këmbë Europën duhen plot 250 milionë emigrantë”.

Ky është përfundimi i një studimi të kohëve të fundit realizuar nga agjencia prestigjioze britanike, “Bloomberg”, transmeton Shqip. “Përndryshe do të përballemi me vështirësi të mëdha ekonomike”, paralajmëron ajo, duke shtuar se: ato do t’ia nisin që nga pensionet.

Kjo sepse kemi një moshë mesatare gjithnjë e në rritje, e ne po shkojmë drejt një rruge të tillë”, thotë agjencia e lajmeve ekonomike, “Bloomberg”.

Sipas disa specialistëve që kanë bërë studimin, për të shpëtuar fondin e pensioneve, në kontinentin e vjetër nuk mbetet alternativë tjetër përveç hapjes së kufijve. Sipas tyre, Europa po plaket dhe nëse nuk do punohet shpejt në këtë drejtim, atëherë do të përballet me një seri problemesh të ekuilibrit ekonomiko-financiar.

Dhe sipas tyre, në vend që të vijohet me promovimin e politikave sociale duhet një shtim konkret i popullatës aktive që të ndihmojë në shmangien e një krize edhe më të madhe. Leonid Bershidski, i agjencisë “Bloomberg”, thekson se krahë pune aktivë Europës i nevojiten 42 milionë njësi deri në vitin 2020 dhe më shumë se 250 milionë të tillë brenda vitit 2060.

Sipas një raporti të Bashkimit Europian, aktualisht në Europë punojnë katër vetë për të mundësuar pensionin e një të moshuari. Sipas llogaritjeve, me këtë ritëm lindjesh, në vitin 2050 do jenë vetëm 2 të tillë, çka do të shtonte barrën e taksave dhe do vështirësonte jetesën e çdonjërit që kontribuon. Prandaj, sipas ekonomistëve, në vend që të shihen si problem, në fakt emigrantët janë një zgjidhje konkrete, gjithmonë duke pasur parasysh faktin që ata të jenë apo të bëhen të aftë për punë.

“Sa më shumë të tillë të merren, aq më mirë do të jetë”, thonë ekspertët. Duke pasur parasysh që emigrantët punojnë dhe lindin fëmijë, shkruan ndërkohë edhe “Corriere della Sera”, t’i bësh qytetarë të Europës nuk është vetëm një mundësi, por detyrim.

Artikulli paraprak“Biznesi” i trafikantëve me refugjatët sirianë
Artikulli vijuesTakohen Papa dhe Nikoliq-i, temë edhe Kosova