A mundet Armenia të shkojë përtej urrejtjes ndaj Turqisë?

Të premten që vjen, Armenët në këtë vend dhe në mbarë botën do përkujtojnë 100 vjetorin e ngjarjes më të rëndë të historisë së tyre – vrasjen masive të paraardhësve të tyre në Perandorinë Osmane. Do ketë fjalime solemne, ceremoni e mitingje. Do ketë thirrje emocionale që qeveritë që nuk e kanë njohur vrasjen e armenëve si genocid, ta bëjnë këtë gjë. Do ketë gjithashtu denoncime ndaj politikës turke të mohimit.

Ky përvjetor është një shanc i volitshëm për një tjetër lloj reflektimi. Politikës armene të kujtesës nuk i kanë munguar aspektet e veta kontraversiale, të cilat rrallë herë diskutohen hapur e ndershmërisht. Ka kohë që të tilla diskutime janë të nevojshme, vecanërisht nëse armenët nuk duan që politika të dëmtojë Armeninë e nëse duan që një ditë Turqia të njohë genocidin.

Së pari, nëse jemi mirëfilli të interesuar që jo vetëm pjesa tjetër e botës, por edhe Turqia të njohë genocidin armen – dhe mua si armen kjo më intereson – atëherë na duhet që në mënyrë rrënjësore të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj turqve, sado emocionalisht të mirëkuptuara këto qëndrime mund të jenë. Vecanërisht, na duhet t’i japim fund trajtimit të qoftë kritikës apo edhe antagonizmit ndaj shtetit turk si të ndërlidhura me urrejtjen e armiqësinë ndaj vetë turqve.

Turqit e zakonshëm duhet të jenë aleatët tanë në përpjekjen për njohje nga shteti turk. Vështirë të shpresojmë për solidaritet prej tyre nëse vazhdojmë të përfshihemi në retorikë anti-turke, të glorifikojmë terroristët armenë që vranë diplomatë turq në vitet 1970 dhe 1980 apo të vazhdojmë tua portretizojmë turqit fëmijve tanë në shkolla e kampe verore si një rracë barbarësh gjakpirës. Kjo është koha për të rikonsideruar këto qëndrime e kjoë jo vetëm sepse janë politikisht të dëmshme, por edhe sepse janë të gabuara.

Së dyti, na duhet të vendosim se cfarë duam nga Turqia – njohje të genocidit, apo shkëmbim territorial? Nuk është sekret që disa nga organizatat më të rëndësishme armene në diasporë shfaqin një ideologji haptazi revizioniste dhe pretendojnë se njohja e genocidit nga bota dhe Turqia është vetëm hapi i parë në procesin e pretendimit të atdheut tonë të trashëguar dhe vendosjen e sovranitetit armen në pjesë të Turqisë lindore.

Nën presionin e organizatave të tilla, edhe qeveria armene vendosi të përfshijë aludime të tilla në deklaratën e vet të kohëve të fundit mbi 100 vjetorin e genocidit. Duke vendosur mënjanë probleme të mprehta të lidhura me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet që kanë përcaktuar status quo-n territorial, është mjaft e qartë pse shteti turk nuk do zbusë kurrë qëndrimin e vet ndaj njohjes, kur përballet me të tilla pretendime. Rrjedhimisht, nëse duam njohje – dhe unë mendoj se njohja duhet të jetë prioriteti – atëherë duhet të heqim dorë nga këto pretendime.

Së treti, nëse diaspora do t’ia dijë jo vetëm për kujtesën e armenëve që u zhdukën në 1915, por edhe për sigurinë dhe të mirën e armenëve që jetojnë sot, atëherë duhet t’i japë fund presionit ndaj Armenisë që të përqafojë një qëndrim agresiv ndaj Turqisë. Armenia nuk ka leverdi nga një qëndrim i tillë. Në fakt, normalizimi i marrëdhënieve me Turqinë, të ngrira për shkak të konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në lidhje me Nagorno-Karabakh, është jetike për armenët teritorialisht të izoluar, të dobët dhe të varfër.

Në të kundërt, kur qeveria e parë post-komuniste e Armenisë adoptoi një politikë normalizimi me Turqinë, u vu në shenjestër të një fushate të egër nga disa organizata të diaporës, përfshi edhe më të fuqishmen, Federatën Revolucionare Armene. Partizanët e normalizimit mbeten shënjestra më e urryer e këtyre organizatave. Pasoja e këtij qëndrimi problematic është edhe vullneti i diasporës për të mbështetur cdo rregjim në Armeni, për sa kohë që përqafon një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë, pavarësisht se sa i korruptuar apo anti-demokratik ai rregjim mund të jetë.

Unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se nëse armenët transformojnë rrënjësisht retorikën e tyre dhe heqin dorë nga pretendimet territorial kundra Turqisë, atëherë shteti turk brenda natës do rishqyrtojë pozicionin e vet dhe shoqëria turke do transformohet rrënjësisht. Kjo nuk do të ndodhë shpejtë, e ndoshta kurrë. Por është bindja ime se nëse ka ndonjë mundësi për një transformim të tillë, atëherë fushata armene, me retorikën e saj tradicionale, kërkesat e veta dhe ideologjinë, të tëra këto janë pengesa për të arritur aty.

Në fakt Turqia ka ndërmarë disa ndryshime shumë të rëndësishme në lidhje me “cështjen armene.” Literatura për genocidin armen gjindet lehtësisht, shumë studiues e intelektualë turqë e kanë njohur dhe dënuar genocidin, ceremoni përkujtimore mbahen në Stamboll dhe shteti turk ka hequr dorë nga qëndrimi i vet tërësisht mohues duke pranuar tragjedinë armene dhe duke ofruar ngushëllime.

Armenët munden dhe duhet të inkurajojnë këtë tendencë. Ata, gjithashtu, duhet të influencojnë organizatat në diasporë në mënyrë që mbështetja apo opozita ndaj qeverisë në Armeni nuk mund të mbështetet vetëm mbi retorikën e saj ndaj Turqisë. Nëse vazhdohet si gjer më sot, kjo vetëm do vonojë njohjen nga Turqia, përkeqsojë problemet midis Turqisë dhe Armenisë dhe do i kontribuojë qeverishjes së keqe në Armeni.

*Autori është asistent profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Lehigh. Artikulli është marë nga Washington Post.

Artikulli paraprakGlobalizimi dhe zhdukja e dritëhijeve
Artikulli vijuesTë kritikoj se të dua – SFIDA (VIDEO)