A po i bashkohet NISMËS, prezantuesi i njohur i lajmeve

0
259

Prezantuesi i njohur i lajmeve në televizion publik Resul Sinani po i bashkohet NISMA’s Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Burime të Gazetës Express kanë njoftuar se brenda pak ditësh njëra prej fytyrave të lajmeve të RTK’së pritet ta zyrtarizojë aderimin në NISMA.

Ai, sipas të njëjtave burime, do të emërohet edhe si zëdhënës i kësaj partie dhe këshilltarë i Ministrit të Arsimit, Shyqri Bytyqi.

Express ka kontaktuar me zëdhënësin e Limajt në Qeveri, Leotrim Berishën, por ai nuk e ka konfirmuar lajmin. Nga ana tjetër, prezantuesi Sinani nuk është përgjigjur në thirrjet e Gazetës.

Megjithëkëtë, Express merr vesh se të hënen Resul Sinani do të zyrtarizojë largimin nga televizioni publik, derisa aderimi i tij pritet të ndodhë në një nga organizimet e NISMA’s për të shënuar përvjetorin e themelimit.

 

Resual Sinani është gazetari i dytë i njohur që i bashkohet NISMA’s, pas Milaim Zekës, që po ashtu la RTK’në për të aderuar në partinë e Limajt, para zgjedhjeve parlamentare.

Këta të dy nuk janë të vetmit që lanë gazetarinë për politikë. AAK’ja në vitet e fundit ka grumbulluar më së shumti emra të gazetarisë brenda saj, si Halim Matoshin, Muharrem Nitajn, Arber Vllahiun etj.., ndërsa aderimi më i bujshëm mbetet ai i Arbana Xharrës, ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, që në maj të vitit të shkuar iu bashkua PDK-së. /GazetaExpress/