A po monopolizohet shamia?

Dr. Shefqet KRASNIQI

Jemi në prag të zgjedhjeve dhe murmuritjet për përfitim votash e përkrahje nuk kanë të ndalur. Natyrisht, partitë politike, sa për të përfituar elektoratin, ndryshojnë agjendat dhe programet e tyre. Sido që të jetë, në vendin tonë të vogël thuajse nuk mbetet asgjë pa u monopolizuar, që nga vendosja e notave “të lira” në indeks, për simpatizuesit politik, e deri te pazarllëqet me gjigantët prodhues dhe pasuritë natyrore të vendit.

Megjithatë, për çudinë e këtij ‘zamani’, kohëve të fundit në vend ka filluar të monopolizohen edhe ndjenjat fetare të popullatës shumicë, prej të cilëve natyrisht priten shumica e votave. Kështu, një çështje e rëndësishme e feve në përgjithësi dhe e Islamit në veçanti, po diskutohet me të madhe, përplot pro-et-contra. Gjersa po shikoja disa shkrime në lidhje më këtë çështje kaq të rëndësishme fetare, kaq shumë të monopolizuar, mu dashtë që medoemos të shkruaja disa rreshta, jo për të hedh vaj në zjarr, të panevojshëm e jo racional në lidhje me këtë çështje, por për të hedh dritë mbi rëndësinë e zbatimit të këtij urdhri fetar, me të cilin Zoti Fuqiplotë porositi të gjithë besimtaret anekënd globit.

Më lejoni që fillimisht të bëj me dije, njëherë e përgjithmonë, për publikun e nderuar se shamia, mbulesa dhe veshja modeste nuk është vetëm imperativ kur’anor, por mbulesa është obligim sipas të gjithë librave hyjnorë dhe për të gjithë pjesëtaret e religjioneve botërore që pretendojnë se posedojnë libra të shenjtë. Madje mbulimi i kokës dhe mosshfaqja e pjesëve të trupit, ndaj jo-farefisit, ishte traditë e lashtë edhe tek popujt më të vjetër si Egjiptianët e lashtë, Fenikasit, Babilonasit, Hebrenjtë, Ilirët, Grekët, Romakët, Bizantinët e deri te Shqiptarët tanë të para-komunizmit, e tash demokracisë.

Se këndejmi, nëse konsiderojmë se sipas historisë njerëzore Hinduizmi është religjioni më i vjetër që e ka shënuar historia moderne, atëherë shohim se edhe ‘librat e shenjtë’ hinduse si Rig Veda dhe Akti i Mahavir Charitra përmbajnë tekste që dëshmojnë se mbulesa, shamia, është e obligueshme në fenë e tyre, si:

“Kur Brahma të bëri femër, ti duhet ta ulësh shikimin dhe të mos shikosh lart. Ti duhet të ecësh me modesti (vësh shputat së bashku) dhe nuk duhet të zbulosh (shfaqësh) çfarë përmban manteli e as çfarë përmban mbulesa-shamia”. (Rig Veda Book no. 8 Hymn no. 33, Vol. no. 19).

Apo:

“Kur vinte Purshuram-i, hyji Rama [Krishna] i thoshte gruas së tij Sita: “Ky është një nga të vjetrit tanë, ndaj ule shikimin dhe vendose mbulesën/shaminë”. (Mahavir Charitra Act 2, Pg 71).

Një tekst i ngjashëm ekziston edhe në skriptet e Budës:

“Bikshu (shenjtori), i cili shikon një femër si femër, ose prek atë me ndjenja, ai e ka prishur besën dhe nuk është më dishepull i Budës. Nëse femra është e vjetër shikoje atë si nënë, nëse është e re shikoje si motër, e nëse është shumë e re atëherë shikoje si vajzë tuajën. Mbulo kokën, o bikshu, me helmet të mendimeve të mira dhe lufto me vendosmëri kundër pesë dëshirave. Zemrën e njeriut e mbulojnë ethet kur ai hutohet nga bukuria e femrës ndërsa mendja trulloset. (Gautama Buddha on Bhikshus, Budhist Scriptures).

Çifutet gjithashtu e kishin obligim mbulesën sipas Torës, të cilit urdhër shumë prej çifuteve i përmbahen edhe sot. Madje askund në botë nuk dëgjojmë diskriminime të çifuteve mbi baza fetare apo largim të tyre nga shkollat.

“Mbledh rreth vetes thekët nga të katër anët e pelerinës (shamisë) ashtu që ta mbulosh veten.” potencon, Ligji i Përtërirë, 22:12, në Tora.

Kjo sa i përket Dhiatës së Vjetër e që është pjesë e përbashkët në mes të çifutëve dhe të krishterëve, ndërsa Dhiata e re, e cila konsiderohet ekskluzivisht për të Krishterët, potencon:

“…Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kokën e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet”. 1 E Korintasve 11, 4-6.

Prandaj, imperativi fetar i të gjitha religjioneve dominuese në botë është që femra ta mbulojë kokën, madje edhe pse ‘lufta’ dhe kundërshtimi i vrazhdë është gjithmonë ndaj muslimanëve, ngase ‘ata i detyrojnë gratë e tyre të mbulohen’. Në fakt urdhri kur’anor nuk potencon asnjë ndëshkim në këtë botë, përkundër urdhrit biblik që përfshin edhe ndëshkimin, dënimin, në këtë botë pra qethni ato gra që nuk mbulojnë, dhe si pasojë çnderojnë, kokën e tyre. Ndërsa në Kur’anin Famëlartë në mes tjerash, në këtë kontest, kemi këto dy ajete:

“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht çfarë bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre. Të mos zbulojnë bukuritë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre (mbi kokat e tyre) dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, prindërve të vet ose prindërve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndjenja për femra ose fëmijët që nuk kanë arritur pjekurinë. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për të mos zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur: 24/31)

Dhe:

“O Pejgamber, thuaju grave tuaja, bijave tuaja dhe grave të besimtarëve t’i vejnë shamitë (mbulesat) e veta mbi trupin e tyre, ngase kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mës
hirues.” (Ahzab: 33/59)

Ndaj çdo monopolizim dhe politizim i kësaj çështje fetare është i papranuar për besimtarët dhe të gjithë i këshilloj të mos bien viktimë e politikave ditore të politikanëve tanë që më së paku kanë dertin e fesë.

Shikuar nga këndvështrimi jofetar, mbulesa është e drejtë e manifestimit të bindjes fetare në publik dhe si e tillë është e garantuar me ligje dhe konventa ndërkombëtare. Dëshiroj të përmend, në këtë rast, Konventën e UNESCO-së kundër çdo diskriminimi në shkollim, ku në nenin 1 të kësaj konvente thuhet:

“Për qëllime të kësaj Konvente, termi ‘diskriminim’ përfshinë çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë e cila, duke u bazuar në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, fe/religjion… synon apo ndikon të shfuqizojë apo pengojë trajtimin e barabartë në shkollim e në veçanti:

a) Për të privuar ndonjë preson a grup personash që të mos ketë qasje në shkollim të çfarëdo lloji apo niveli,

b) Për të kufizuar ndonjë person apo grup personash që të kenë një shkollim të një standardi dytësor apo më të ulët”.

Në këtë kontest vjen edhe Kushtetuta e Republikës sonë, e cila garanton lirinë fetare në nenin 38, respektivisht paragrafi 3:

“Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet… që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.

Ndërsa, Ligji Nr. 02/L-31, Për Lirinë Fetare në Kosovë, Neni 1, paragrafi 1.1., potencon se:

“Çdo njëri ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetar. Kjo e drejtë përfshinë… dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, qoftë si individ ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht, etj.

Prandaj, pretendimet se Kosova është shtet laik, mbështetur në ligjet e sipërcituara, dhe se për të mbrojtur një të drejtë të garantuar, të shkelur vite me radhë në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, duhet konsultuar organizata, grupe të grave depu(sh)tete dhe OJQ tjera, duken më tepër se qesharake. Madje disa shiten aq ‘të paanshëm e të moderuar’ saqë konsiderojnë se komunitete tjera fetare në Kosovë qenkan përjashtuar nga konsultimi. A thua vallë ka guxuar dikush vetëm të mendojë ta diskriminojë një femër katolike, e le të mos flasim për ortodokse, për shkak të asaj që ajo bartë në kokë. Diskriminimi po shihet si dielli në qiell të kaltër, ndaj pikërisht pjesëtarëve dhe pjesëtareve të këtij komuniteti i bie më shumë barra të gjejnë zgjidhje për një çështje të këtillë.

Për fund, duke lutur të Madhin Zot që të na japë mend, që kjo çështje të zgjidhet sa më parë, e të na bëjë të mundur ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë të mirë për të thënë, po e përmbyllë këtë shkrim timin me shpresë se ka tingëlluar në veshët dhe ndërgjegjen e duhur të politikë-bërësve tanë.

Deri në shkrimin e radhës, Es-selamu alejkum.

Artikulli paraprak(Video) Siri: Fakte të reja nga masakra me armë kimike
Artikulli vijuesRrahje masive në veri