A po na e mbysin dalëngadalë Mbretneshën, bijtë e çakejve..?!

Në vitin 2004, doli në qarkullim një libër-studim me titull: “Shtegtimi i monumenteve”, me autor të nderuarin Lec Shllaku, ndjesë pastë. Në faqet e tij, nuk është e vështirë të lexohet dhimbja dhe interesimi i autorit për realitetin e monumenteve historike e trashëgimore të Shkodrës së kulturës e vlerave pa fund… Këtë gjë e dëshmon edhe në parathënien e tij, ku ndër të tjera thotë: “Po japim disa të dhana të përcipta mbi humbjet, që i kanë shkaktue trashigimisë sonë të ndërtimeve në shkallë qyteti e ma andej, në shkallë Rrethi e Prefekture, që shpërfytyrimet, shndrrimet e shembjet e mjaft objekteve historike e të monumenteve të kulturës sonë landore-natyrore.

Ato kanë ra flijë e vendimeve të ngutuna të dalldisë politike e të fanatizmit të të gjitha llojeve e shpesh herë inkompetente të npunësve të paaftë… Realiteti i sotëm ndërtues i qytetit tonë, zevendsimi i së vjetrës me nji të re të papërcaktueme, me fizionomi të zbehtë kombtare, pa përkatsí stili, me kritere e orientime të lkunduna, gjithnji të mshefuna mbas përligjjes ekonomike-financiare, e padit nivelin e ulët të mjeshtrisë ndërtuese t’atyne, që zunë vendin e arkitektëve tanë të shquem paraardhës… Midis tjerash, janë rrenue e fshi nga faqja e dheut, dheta e dheta ndërtesa tipike banimi, nga ma karakteristiket, ose i janë dhanë dhambëve të kohës që t’i hanin e t’i kthenin në grumbuj rrenojash. Janë sheshue nji pjesë e madhe rrethimesh e avllish karakteristike, që përcaktonin rrugët e rrugicat e kalimin e ujnave në kohë shinash e vërshimesh…” Dhe, ka shumë të drejtë autori në këto konstatime të dhimbshme, që përligjen me katrahurën e zëvendësimit të shtëpive të vjetra muslimane të Shkodrës me ndërtime pa shije e betonizime bajate, që të sheh syri gjithandej në qytetin tonë!

? Ka shumë të drejtë, sepse gjurmët e vakëfeve dhe bamirësive të zotnive muslimanë shkodranë, thuajse nuk ekzistojnë më; diku të shembura nga komunizmi, diku të zaptuara nga të ram’t në Shkodër, diku nga politikat urbane kundër arkitekturës osmane e kështu me rradhë… Ka të drejtë, se paaftësia e nëpunësve të shtetit, përzier me shpirtin e fshehur islamofob, si dhe tendencat flagrante të prezantimit të Shkodrës si qytet 100 vjeçar, përsa i përket arkitekturës dhe përkujdesjes shtetërore ndaj ndërtesave dhe gjurmëve të vjetra arkitekturore, e kanë bërë Shkodrën të mos njihet më!? Por, ajo që më nxiti të shkruaj sot me dhimbje këto rreshta, nuk është thjeshtë abuzimi shtetëror me gjurmët e arkitekturës osmane e islame në Shkodër, jo, jo! As tendenca e hapët e investimeve të vrullshme në lagjet jomuslimane të Shkodrës dhe keqprezantimi i Shkodrës, sipas kapriçove egoiste të një individi a një grupi partiak të njohur në Shkodër, as kjo! As tendenca e kthimit të lagjeve të vjetra muslimane të Shkodrës në geto të zhurmshme, me rrugë të dorës së tretë, plot puceta, bume e diznivelime, pa drita e pa trotuare, pa këtë e pa atë, as kjo! As tendenca për të mbjellur këtu e aty, si kërpudha pas shiu, statuja e shtatore, buste e monumente të personaliteteve jomuslimane, a thua se ky qytet nuk ka as ka pasur burra të mëdhenj muslimanë, që kanë dhënë e kanë kontribuar sa askush tjetër, as kjo, jo! As shumë e shumë tendenca partiake të pas vitit 1990, për të zaptuar vakëfe e për t’ia legalizuar të afërmve, për të vinuar kthimin e pronave të muslimanëve e për t’i ngatërruar ato, si mos më keq, as kjo! As shumë më shumë se kaq, por Xhamia e Plumbit!

Nuk do merrem këtu me shpjegime se ku jemi me marrëveshjen e TIKA-s, a se a besojmë ne si muslimanë në faktin se kemi një Ministri Kulture, kur bëhet fjala për xhaminë tonë, as a kemi besim tek një kryeministër, jo e jo (meqë, më pyeti dikush se a e ka vizituar kryeministri Xhaminë e Plumbit në 25 vjetorin e saj?!), a te disa kryeministra, jo e jo, (që të jem i drejtë e mos të ma marrin tifozët partiakë për personale)..!?

Ajo që dua të merrem me të në këto pak rreshta është fakti se sot, më 15 maj 2016, Xhamia e Plumbit është e përmbytur më keq se kurrë dhe se, askush nuk është në gjendje të thotë se a do të zgjidhet ndonjëherë katrahura urbanistike e lagjes së Tabakut dhe Monumentit arkitekturor më të rëndësishëm të Shkodrës, Xhamisë së Plumbit? A do të ndërhyjë njeri për hapjen e rrugës së zënë nga betonatat, që pengojnë lëvizjen drejt Çinarit të Tabakut dhe gjurmëve të mbetura të Xhamisë shekullore aty? A do të ndërhyjë dikush që ajo lagje e vjetër shekullore të ketë vëmendjen e duhur të Bashkisë Shkodër, me investime serioze dhe të denja për hyrjen drejt zonës së kalasë? A do të lëvizë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (All-llahu iu bëftë ndihmë në shumë përballje që mban mbi supe), drejt krijimit të një bordi kombëtar për inspektimin, regjistrimin dhe rikthimin në identitet të gjurmëve të vjetra të trashëgimisë islame, me punime dhe investime cilësore? Dhe, a do të lejojmë ne muslimanët, që pushtetet e pabesa dhe antikombëtare, të na e shkatërrojnë Xhaminë e Plumbit, siç kanë bërë deri më sot me Xhaminë e kalasë, por jo vetëm..? Dhe, u ndala pak në një rresht të studimit të Lec Shllakut, ku pohon me plot dinjitet e fisnikëri, se Xhamia e Plumbit: “Asht pa dyshim xhamia mbretneshë mbi të gjitha simotrat e veta në Shqipninë ballkanike…” E, pyetja që lind vetvetiu teksa sheh gjendjen e kësaj Mbretneshe në skamje, është: A po na e mbysin dalëngadalë Mbretneshën, bijtë e çakejve..?!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër Shkodër,

 

Artikulli paraprakReagon imami Enes Goga pas shpifjes ndaj tij
Artikulli vijuesNamazi i bajramit në Qabenë e bekuar