Afganistan: Sulmet vdekjeprurëse “shoqërojnë” Hagelin, sekretarin e mbrojtjes së SHBA

Së paku nëntë zyrtarë të sigurisë kanë humbur jetën nga sulmi me bombë, jashtë Ministrisë së Mbrojtjes në Kabul.

Shpërthimi ka ndodhur të shtunën, gjatë vizitës në Afganistan të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel. Burimet zyrtare thonë se Hagel nuk ka qenë pranë shpërthimit dhe nuk është lënduar.

Po sipas tyre, sulmuesi ka arritur pranë Ministrisë së Mbrojtjes me motoçikletë.

“Një numër i afganëve është vrarë në sulm. Së paku nëntë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 13 të tjerë janë plagosur. 

Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë talibanët. Zëdhënësi i tyre, Zaibullah Mujahid, ka thënë se ai nuk ka pasur qëllim të qëllojë Hagelin, por të dërgojë mesazh se talibanët janë në gjendje të sulmojnë Kabulin edhe gjatë vizitës së një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes.

Në deklaratën e NATO-s thuhet se shpërthimi është pasuar me disa të shtëna armësh.

Zëdhënësi i Pentagonit, George Little, ka thënë se Hagel ka qenë në një objekt të forcës ndërkombëtare në Kabul, në momentin kur ka ndodhur shpërthimi.

Zyrtari amerikan ka thënë se trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s janë “ende në luftë” në Afganistan.

Ai ka theksuar se misioni për të luftuar  talibanët mbetet “i rrezikshëm dhe i vështirë”, por ka deklaruar se qëllimi për të ndihmuar forcat afgane qe të marrin përgjegjësitë e plota të sigurisë është “i qartë dhe i arritshëm”. Nga takimet me zyrtarët lokalë, Hagel ka thënë se do që të mësojë më shumë për situatën në Afganistan.

“Kam nevojë të kuptoj më mirë se çfarë po ndodh. Duhet të bisedoj, të dëgjoj dhe të kuptoj më mirë nga komandantët tanë në terren”, ka thënë Hagel.

Mësohet se ai planifikon të flasë më presidentin afgan, Hamid Karzai, në lidhje me një dekret të tijin, i cili dëbon forcat speciale të Shteteve të Bashkuara nga provinca Vardak. Hagel nuk ka bërë të ditur se çfarë mesazhi ka për Karzain.

Ky i fundit ka urdhëruar komandot amerikane të largohen nga provinca brenda dy javësh, për shkak të akuzave se afganët që punojnë me to, janë përfshirë në abuzim dhe torturë.

Vizita e Hagelit në Afganistan është “shoqëruar” edhe me një tjetër sulm vdekjeprurës, i cili ka ndodhur sot në provincën Khost. Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se një sulmues ka vrarë një policë dhe tetë civilë.

Hagel është betuar në postin e sekretarit amerikan të mbrojtjes më pak se dy javë më parë, përkatësisht më 27 shkurt.

Rreth 66,000 trupa amerikane dhe rreth 30,000 ushtarë të NATO-s dhe forca të tjera aleate janë ende të pozicionuara në Afganistan. Shumë nga këto forca është planifikuar të largohen këtë vit, duke i paraprirë tërheqjes së plotë të forcave të huaja luftarake në fund të vitit 2014.(v.t.)/rel

Artikulli paraprakKonfirmohen 21 dënime me vdekje në Egjipt
Artikulli vijuesKuvendi refuzon raportimin e Thaçit