Agjërimi dhe historiku i tij

Sot është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit për këtë vit. Muaji i Ramazanit është i veçantë për myslimanët dhe dallohet nga muajt e tjerë, që janë 12 sosh. Është i nënti me radhë në kalendarin hënor hixhrij.
 
Muajt sipas kalendarit hënor, siç dihet, janë më të shkurtër dhe ky fakt e bën vitin hënor më të shkurt për 10 apo 11 ditë se sa viti diellor dhe si rrjedhojë e kësaj, lëvizë i tërë kalendari hënor nga viti në vit, dhe, Ramazani, si një nga muajt e këtij kalendari, ngjanë të jetë nëpër të gjitha stinët e vitit.
 
Vlerat e muajit Ramazan janë shumë të mëdha. Nuk mund të numërohen në pak rreshta. Me të drejtë mund të themi se Ramazani është i dobishëm jo vetëm për myslimanët, por për mbarë njerëzimin.
 
Madje edhe më shumë. Nga muaji i Ramazanit përfitojnë edhe krijesat e tjera në tokë, por edhe mbarë sfera qiellore.
 
Por ajo që e karakterizon më së shumti këtë muaj, padyshim është agjërimi. Padrejtësisht agjërimin e lidhim me vetëm Ramazanin, por nuk ka mëdyshje se agjërimi është karakteristika kryesore e tij. Derisa njerëzit fjalën “agjërim” dhe fjalën “ramazan” shpeshherë i trajtojnë (apo më mirë të themi i ngatërrojnë së trajtuari) si fjalë sinonime si p.sh.: “kam (mbaj) ramazan” në kuptimin “agjëroj”, edhe nëse kur agjëron mund të jetë muaj tjetër.
 
Ç’është agjërimi?
 
Të gjithë e kuptojnë të agjëruarit si braktisje të ushqimit dhe pijes, apo të disa ushqimeve dhe pijeve (kreshmë), gjatë një ditë apo gjatë një periudhe të caktuar. Të agjëruarit nënkupton qëndrim në vend, pa lëvizur.
 
Agjërim nënkupton edhe abstenimi nga të folurit, kur njeriu synon heshtjen. Agjërim pra është gjendja origjinale e njeriut, duke qëndruar në një vend, duke mos folur si dhe duke mos u ushqyer.
 
Kur e “prish agjërimin”, ka filluar të veprojë, të lëvizë, pra kuptohet se ka lëvizur nga vendi, ka filluar të komunikojë me tjetrin si dhe ka filluar të konsumojë ushqim.
 
Duke qenë këto lëvizje nevojë parësore e jetës së njeriut, atëherë agjërimi i përjetshëm deri në paralizë, moskomunikim apo vdekje, medoemos është i ndaluar. Pra agjërimi nuk është ndonjë veprim i caktuar, por është e kundërta plotësisht; mosveprimi.
 
Agjërimi nga këndvështrimi islam është “heqja dorë nga ushqimi, pijet, marrëdhëniet intime dhe gjërat që e prishin agjërimin, që nga agimi e deri në perëndimin e diellit me qëllim të agjërimit.”
 
Vlera e agjërimit në Islam
 
Agjërimi në islam është një ndër pesë shtyllat bazike të tij. Agjërimi është një mënyrë e veçantë e adhurimit të Allahut, Krijuesit të gjithësisë, të cilën e ka kërkuar të bëhet nga besimtarët e të gjitha kohërave. Është i veçantë për dy karakteristika të tij:
 
1. Është çështje interne dhe si e tillë i kushtohet vetëm Allahut, pasi të tjerëve nuk ka pse t’i dedikohet. Besimtari kryen edhe namazin, jep zekatën, bën haxhillëkun etj…, veprime këto që po ashtu janë adhurime dhe shtylla të Islamit. Por në ato vepra mund të ndërhyjë edhe ndonjë synim tjetër, si autoriteti, fama për besnikëri, për bujari etj., gjersa me agjërim nuk synohet të arrihet asgjë tjetër, pos kushtimit për Allahun, pasi Ai e ka kërkuar një gjë të tillë dhe askush tjetër nuk përfiton.
 
2. E poshtëron armikun e përbetuar, shejtanin. Mënyra më adekuate e shejtanit për ta djallëzuar njeriun është depërtimi përmjet epsheve, lakmive etj. Me agjërim, njeriu shfaqë epërsinë e arsyes mbi epshet dhe lakmitë, andaj e ka më të lehtë ta mbajë nën kontroll vetveten.
 
Historiku i agjërimit
 
Njeriu në tërë historinë e tij ka qenë ky që është, pasi është krijuar prej tokës. Armiqtë e tij gjithnjë kanë qenë djalli dhe lakmitë. Pra edhe lufta e njeriut gjithnjë është të mbizotërojë mbi këto, që e zhveshin atë prej humanitetin dhe arsyes. Djalli dhe lakmitë, e shndërrojnë njeriun nga krijesa më fisnike, në krijesë të harbuar e të tërbuar.
 
Kujdesi i Krijuesit të njeriut, i cili e lajmëroi atë për armiqtë e tij të përbetuar, ishte dhe vazhdon të jetë që t’ia tregojë rrugën se si ta shtojë imunitetin dhe t’i përballojë armiqësitë. Natyrisht, agjërimi ishte njëra prej mënyrave. Kështu, gjeneratë pas gjenerate, që nga babai i tyre, Ademi a.s., njerëzit u obliguan me agjërim.
 
Agjërimi jo vetëm që u tregua i përballueshëm për njeriun, por madje dha rezultate konkrete në ndërtimin e personalitetit të njeriut dhe në avancimin e arsyes mbi dëshirat, jo vetëm në ushqim dhe pije, por edhe në pushtet, udhëheqje, sjellje me njerëz dhe me krijesat e tjera. Vetëm me logjikën e efikasitetit, thirrja për agjërim u ripërtri tek çdo popull, përmjet çdo profeti.
 
Të gjitha besimet me bazë qiellore e kanë pasur obligim agjërimin. Madje modeli më i lavdëruar i agjërimit është ai i Davudit a.s. (profet ky që ishte dërguar tek Beni Israilët dhe kishte jetuar para Isait a.s.), sepse ky njeri, agjëronte një ditë e nuk agjëronte tjetrën, që të mos bëhej imun. Ata agjëronin deri në 40 ditë e më vonë edhe 50. Tradita e agjërimit kishte qenë edhe tek arabët, para se të dërgohej Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ani pse ishin politeistë paganë. Nuk ishte befasi për ta kur u obligua të agjëruarit.
 
Agjërimi në fillim ishte i përcaktuar në disa ditë. Besohet të ishin nga tri ditë të çdo muaji. Mirëpo në vitin e dytë, pas shpërnguljes së myslimanëve në Medinë, Allahu e obligoi agjërimin e tërë muajit Ramazan, duke i amnistuarit të sëmurit, të paaftët, udhëtarët etj. Historianët thonë se Ramazanin e kishte agjëruar çdo popull i mëhershëm, kurse disa mendojnë se i pari ishte Nuhu a.s. që e kishte agjëruar Ramazanin, pasi kishte shpëtuar prej tufanit përmbytës.
 
Përfundim
 
Sido qoftë, shtimi i arsyes dhe ulja e epsheve, njëkohësisht ulin dëshirën për të mëkatuar. Sa më pak mëkate që bëjnë njerëzit, janë më solidarë, më humanë dhe më të dobishëm për shoqërinë.
 
Një gjë është mirë ta dinë të gjithë. Me gjithë këtë lashtësi dhe vjetërsi të kësaj detyre hyjnore, nga agjërimi nuk ka vdekur askush, pra nuk është shënuar asnjë viktimë!
 
Urime Ramazani!
 
Hoxhë Muhamed Dërmaku
Artikulli paraprakHaradinajt i kthehet pasaporta, gjatë ditës pritet të vijë në Kosovë
Artikulli vijuesTë agjërosh aty ku nuk perëndon dielli!