Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur për rrënimin apo jo të Kishës Ortodokse, që gjendet në oborr të Universitetit të Prishtinës. Mendimi i tij është që kisha mos të rrënohet, por të përdoret si dëshmi për atë çka ka dashur të bëj Millosheviqi
Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës vazhdon të mos ketë asnjë dokument në lidhje me kishën, që është ndërtuar nga Millosheviqi dhe regjimi i tij, transmeton Koha.net. Ai ka thënë se pala serbe nuk dëshiron ta njeh shtetin e Kosovës dhe nuk i dorëzon dokumentet për legalizim.
“Ata nuk i dorëzojnë dokumentet në shtetin e Kosovës, sepse nuk dëshirojnë ta njohin si shtet. Këto vendime merren me nivele. Kryetari i komunës vendos për shkallën e parë dhe të dytë, kurse për shkallët tjera merr vendime dhe ministria”, ka thënë Ahmeti duke e dhënë idenë e tij.
“Unë mendoj se nuk duhet të rrënohet. Mendoj se duhet të jetë e hapur për publik dhe të shërbej si mësim për nxënësit e rinj se si ka dashur Millosheviqi të lë gjurmë edhe në oborr të universitetit dhe çka ka dashur të bëj ai”, ka shtuar Ahmeti duke zbuluar se rektori i asaj kohe në UP, Ejup Statovci ka bërë padi si person për ndërtimin e kishës.