Ajeti më frikësues në Kuran

Në një përgjigje të cilën ua ka dhënë Shejh Muhamed Salih Munexhidi, atij që kishte parashtruar një pyetje të ngjashme, mes tjerash, thotë:
Ajetet e frikësimit në Kuranin Fisnik janë të shumta. Këto ajete përmbajnë domethënie të rënda dhe të mëdha, të cilat në zemrën e besimtarëve shkaktojnë devocion dhe frikë prej ndëshkimeve të Allahut dhe me këtë ata ngjiten lart në udhëtimin e tyre drejt Allahut dhe me këtë fitojnë gradat e larta të Xhennetit.
Sufjani, rahimehullah, thotë:
“Në Kuran nuk ka ajet më të rëndë për mua se sa ajeti:
“Thuaj: “O ithtarë të librit, ju nuk jeni asgjë (në fe) derisa të mos zbatoni Tevratin, Inxhilin dhe atë që ju zbriti nga Zoti i juaj. …”. (El-Maide: 68).
Muhamed Ibën Sirini, rahimehullah, thotë:
“Te ata (selefi) nuk kishte ajetë më frikësues se ky ajet:
“Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar All-llahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë”. (El-Bekare: 8).
Imam Ebu Hanifeja, rahimehullah, ka thënë: Ajeti më frikësues në Kuran është:
“Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për pabesimtarët”. (Ali Imran: 131)
Sipas Imam Shafiu, rahimehullah, ajeti më frikësues është:
“Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. (El-Asr: 2-3).
Dikush tjetër ka thënë: ajeti më frikësues është:
“…Allahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij…”. (Ali Imran: 28).
Ose:
“Ne do të merremi me (llogarinë për) ju, o ju dy të rëndësishmit (njerëz dhe xhinë)”. (Er-Rahman: 31).
“81:26. Pra, ku jeni, kah shkoni?”. (Et-Tekvir: 26).
“…Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me te …”. (En-Nisa: 123).
“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?”. (El-Muminun: 115).
“Është e vërtetë se goditja e Zotit tënd është e fortë”. (El-Buruxh: 12).
“A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t’i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?”. (El-Xhathije: 21).
Të gjitha këto mendime mund ti shfletoni te libri “El-Itkan fi Ulumil-Kuran”, (2/ 430) të Imam Sujutiut, rahimehullah.

Hoxhë Bekir Halimi

Artikulli paraprakPamje nga aksioni i policisë për kapjen e vrasësit të dy turistëve çekë (Video)
Artikulli vijuesVeprat argëtuese me të cilat kalojmë pushimet verore