Aktakuzë për terrorizëm ndaj 32 personave

0
211
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër 32 të pandehurve për veprat penale të rekrutimit për terrorizëm, organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste dhe mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
 
Prokuroria ka publikuar vetëm inicialet e të akuzuarve: I.H., E.B., F.I., K.B., B.S., F.D., E.B., V.G., F.B., K.R., K.B., H.N., B.Sh., B.I., A.B., E.L., J.B., A.K., B.H., Z.B., J.H., H.A., N.A., I.R., A.B., E.B., S.S., H.E., H.L., A.L., M.B. dhe S.H.
 
Nga këta, 27 persona akuzohen për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste,   dhe atë të mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
 
Dy nga ta akuzohen për veprën penale të rekrutimit për terrorizëm, ndërsa tre të tjerë akuzohen për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
 
Prokuroria thotë se për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se iu kanë bashkangjitur për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ISIS, disa të tjerë kanë bërë ftesë për qytetarë për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për të dërguar në luftën e Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat e lartcekura terroriste të shpallura nga OKB-ja.
 
Më 9 gusht të vitit 2014 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë u patën arrestuar mbi 40 persona.  Nga ky grup 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ende gjenden në arrati.
 
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit, thuhet në komunikatën e Prokurorisë./GJNK