Moslëshimi pe i Thaçit për Demarkacionin: a do jetë presidenti shkaktar i rënies së qeverisë “Haradinaj”?

Ndërsa kryeministri Haradinaj e nisi javën duke bërë pastruesin, pasi fshiu ngjyrën në xhamat e qeverisë që e ndotën të dielën vetëvendosësit, presidenti Thaçi përmes Facebook-ut i dërgoi një mesazh jo fortë të mirë Ramushit që lidhet me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Presidenti i nervozuar me deklaratat që bëri së fundmi Shpejtim Bulliqi, tashmë njeriu i Haradinajt për demarkimin e kufirit me shtetin malazez, i cili të dielën mbrëma tha se komisioni që udhëheq ai ka gjetur fakte se është humbur territor, i ka kërkuar dhe një herë Ramushit të ec tutje me Demarkacionit dhe të ratifikohet nga Kuvendi dhe të mos dëgjojë siç ka thënë “zhurmëkotët e zakonshëm”, duke thënë se vendi nuk mund të mbetet peng i tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme që mbajnë të izoluar shtetin.

“Është koha që institucionet tona shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private”, është mesazhi i qartë i Thaçit për Haradinajn.

Kryeministri mes dy zjarresh…

I gjendur mes dy zjarresh, Haradinaj nuk pritet të dëgjojë kërkesën e Thaçit dhe të ec tutje me marrëveshjen aktuale, jo vetëm pse mungojnë votat (81) për ta kaluar Demarkacionin por edhe për shkak se do vërtetohej ajo që thotë presidenti se kauza e Haradinajt ishte e rrejshme dhe për pushtet.

Moslëshimi pe nga dy krerët e vendit për çështjen në fjalë dhe “kërcënimet” e presidentit që domosdo të ratifikohet marrëveshja e nënshkruar nga ai, lehtësisht mund të prodhojnë një krizë të re institucionale, konkretisht rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

Dhe kjo pritet të kuptohet më së largu brenda gjashtë muajve të vitit të ardhshëm, ku një konstatim final i komisionit të ri të emëruar nga Haradinaj se vendi ka humbur tokë me marrëveshjen e Thaçit, pashmangshëm do të nxisë reagime dhe më të ashpra te presidenti i cili lehtësisht mund ta shtyjë ish-partinë e tij të prish koalicionin me AAK-në e NISMA-n, pasi është botërisht e ditur se ka ndikim në partinë që e udhëhoqi për 16 vjet.

Heshtja e Veselit për Demarkacionin…

Se Demarakcioni mund ta rrëzojë nga pushteti Haradinaj, flet jo pak edhe heshtja e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili nuk ka pëlqyer të flasë shumë për këtë temë që nga koha kur hyri në qeverisje me Ramushin, por që vlen të kujtohet deklarata e bërë për “Top Channel” se “Kufiri me Malin e Zi është një realitet që duhet pranuar dhe respektuar dhe Demarkacioni me ta duhet të kalojë sa më shpejt”.

Pra Haradinaj mund të befasohet si është më së keqi, njëjtë siç i ndodhi Isa Mustafës pasi Veseli do mbështet mbanë anën e Thaçit për çështjen në fjalë dhe në një moment të caktuar mund të deklarohet se “qeveria e re është ndërtuar për të kaluar tema të mëdha”, që i bije se nëse ato nuk kalohen, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme nacionale.

Ministri i PDK-së kundër Haradinajt…

Se PDK mund të prish koalicionin nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët për Demarkacionin, e lë të hapur në një mënyrë edhe dekalrata e bërë javë më parë nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ish-këshilltari i Thaçit dhe njeriu më i besuar i tij, i cili i ka thënë në sy Haradinajt se beson në vërtetësinë e marrëveshjes së nënshkruar nga ish-shefi i tij.

Tahiri ka kritikuar formimin e komisionit të ri për Demarkacion të cilin veprim e ka quajtur të ngutshëm pasi ka sipas tij për një gjë të tillë është dashtë që të konsultohet më shumë zyra ligjore.

“Marrëveshja që është nënshkruar, atë kohë ministri i Jashtëm tash presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është marrëveshje e drejtë. Mendoj që është marrëveshje e drejtë dhe vazhdoj të besoj që kryeministri do të arrijë ta gjej zgjidhjen që këtë cështje ta përmbyllim sa më shpejtë”, ka thënë Tahiri.

Artikulli paraprakÇfarë dobie ka Qimnoni për shëndetin, ky frut me këtë emër provokues
Artikulli vijuesBiskota me Kimikate nga Serbia – Ballkani në Alarm