Albulena Haxhiu rikthehet në Kryesi të Lëvizjes Vetvendosje

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Vetëvendosjes do të jetë e pranishme, ndërkaq e konsideron të drejtë kërkesën për të dorëhequrit që të rikthehen në Kryesi.

Njoftimi i Albulena Haxhiut:

Javën e shkuar, në mbledhjen e fundit të Kryesisë është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit.

Duke pasur parasysh rrethanat, unë e konsideroj të drejtë këtë vendim.

Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodh në Lëvizje.

Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht.

Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim.

Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ dhe mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ja duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve.

Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë.

Gjatë javëve në vazhdim, ne na presin sfida të mëdha përfshirë këtu demarkacionin e Gjykatën Speciale dhe vetëm duke u përpjekur bashkërisht, ndalohen projektet e dëmshme për vendin dhe Lëvizja rritet e fuqizohet!

Haxhiu këtë e ka bërë të ditur për Koha.net edhe para disa ditësh, e cila ndër të tjera tha se ndjen keqardhje për ata që dalin nga Lëvizja për shkak se ka kandiduar Albin Kurti, dhe se momenti i reflektimit të saj ka qenë pikërisht momenti kur i është thënë që është kusht kandidimi i Kurtit.

Artikulli paraprakQeveria në rrezik, fillon humbja e përkrahjes ndërkombëtare
Artikulli vijuesBSPK-ja kërkon rritje të pagave mbi 10 %