Ambienti i pafavorshëm falimenton bizneset

Nga 9,449 biznese sa janë regjistruar vitin e kaluar, mbi 1,100 biznese janë mbyllur, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa arsyet e mbylljes, sipas tyre, janë vullnetare.

Një nga bizneset shërbyese që tashmë ka falimentuara, është një dyqan i floktarisë në Prishtinë. Fadil Mahmuti ka qenë pronar i këtij dyqani dhe me mjetet e fituara, është kujdesuar për familjen e tij gjashtë-anëtarëshe.

Ai tregon se ngarkesat e larta tatimore e kanë detyruar të çregjistrojë biznesin e tij, pasi thotë se më shumë është dashur të paguajë obligime, sesa që ka fituar.

“Obligimet, tatimet. Zanatlinjtë e kanë 9 për qind, ndërsa ëmbëltoret e kanë 3 për qind. Çfarë dallimi, ëmbëltorja i shet 200 kafe, unë i bëj 12 euro në ditë, ndërsa paguaj nëntë për qind, ndërsa zanatet tjera 3 për qind”, shprehet Fadil Mahumti.

Që nga viti 2000 e deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, janë regjistruar 120 575 biznese.

Po sipas të dhënave zyrtare, në nëntëmujorin e vitit 2011, janë shuar 934 ndërmarrje, ndërsa në vitin 2010 kanë falimentuar 1400.

Por, njohës të çështjeve ekonomike shpjegojnë se kamatat e larta të kredive, ekonomia joligjore, mungesa e një angazhimi më serioz të autoriteteve kompetente karshi sektorit privat, janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve.

Naser Grajçevci vlerëson se numri prej mbi 1100 bizneseve të shuara është shumë i lartë, krahasuar me numrin e bizneseve aktive në vend. Kjo, sipas tij, paraqet ambientin e pavolitshëm të të bërit në biznesit në Kosovë.

Ai, gjithashtu, konsideron se numri më i madh i bizneseve që mbyllen janë biznese të vogla, pasi, siç shprehet ai, kompanitë e mëdha po gllabërojnë bizneset e vogla dhe po humbin arsyeshmërinë e ekzistimit të tyre.

“Konkurrenca jolegale që bëhet dhe prapë kjo konkurrencë në të shumtën e rasteve është pasojë e funksionimit jo të mirë të institucioneve kryesore që kanë për qëllim të mbrojnë këtë konkurrencë”.

“Është përvoja, bizneset e vogla ballafaqohen me mungesë të përvojës. Por, ajo që ka qenë numër një në këto vitet e pasluftës, është mungesa e përkrahjes financiare dhe klimës jo të favorshme kreditore që kemi në Kosovë”, thekson Grajçevci për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se politikat jo të favorshme për zhvillimin e sektorit privat, ekonomia joligjore dhe sistemi bankar, paraqesin si pengesa kryesore që çojnë drejt falimentimit të bizneseve në vend.

Aleanca Kosovare e Biznesit, vitin e kaluar ka bërë një analizë, për ndikimin e normave të interesit për kredi te ndërmarrjet private, thotë Agim Shahini, udhëheqës i këtij asociacioni.

“Arsye e tretë është interesi i lartë bankar, i cili sipas një hulumtimi që ka bërë AKB-ja, para një viti, rezulton se arsye e tretë, që ndikon në falimentimin e bizneseve, është mos përmbushja e detyrimeve ndaj bankave komerciale”.

“Kjo i detyron bizneset të falimentojnë. Prandaj gjithë kjo klimë jo e favorshme për rritjen e bizneseve të vogla dhe atyre mikro, që këto ndërmarrje dominojnë në Kosovë, kanë nevojë për mbështetje, për politika të mira, për kredi me afat më të gjatë dhe me interes më të ulët. Dhe, në këtë formë do të rritet mënyra e konkurrencës së drejtë, por edhe bizneset do ta marrin vetë veten”, vlerëson Shahini.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Botërore, Kosova është radhitur më mirë në fushën e të bërit biznes.

Madje, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë shumë reforma në lehtësimin e procedurave në këtë fushë.

Por, Naser Grajçevci, dikur drejtor në Agjencinë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Banka Botërore ka 10 fusha ku e mat të bërit biznes në vende të ndryshme të botës, por ato fusha, sipas tij, janë shumë formale.

Shumë gjëra, thotë ai, ndryshojnë në mes asaj që shkruhet dhe asaj që realizohet në praktikë:

“Edhe tash ne kur radhitemi shumë më mirë se herët tjera, në aspektin e promovimit biznesor për investitorët e huaj, mund të jetë shumë pozitive, por ambienti i biznesor, i cili është për një analizë shumë të thellë, sesa në këtë formën sipërfaqësore, mund të themi se është shumë larg për të dëshiruar”.

“Investitorët e huaj vijnë këtu dhe ballafaqohen me shumë pengesa, qoftë pengesa burokratike, abuzive, elemente korruptive dhe në këtë mënyrë, ata detyrohen të ikin nga ky vend, i cili ka shumë nevojë për investime”.

Ndryshe, për krijimin e një ndërmarrjeje të re dhe për vazhdimin e suksesit, Naser Grajçevci shprehet se në rend të parë duhet hartohet plani i biznesit.

Pa e krijuar këtë plan të detajuar, thotë ai, është e sigurt se bizneset janë më pranë dështimit se sa arritjes së suksesit.

Artikulli paraprakVdekshmëria e foshnjave në Kosovë, vazhdon të mbetet e lartë
Artikulli vijuesVdekshmëria e foshnjave në Kosovë, vazhdon të mbetet e lartë