Protestat e djeshme kundër vendosjes së kryqit në Butel janë vetëm mënyrë për të shpërlarë dështimet e partisë shqiptare në pushtet si dhe tentativë për të përsëritur skenare të ngjashme sikur ai në Kalanë e Shkupit. Kështu vlerësojnë opinionistët Isen Saliu dhe Ramadan Ramadani. Sipas Saliut, si para 5 vitesh kur ndodhi incidenti në kala, ashtu edhe kësaj radhe tentohet të shitet patriotizëm që më vonë dëshmohet se ka qenë i rrejshëm dhe për qëllime të ngushta politike.
“Ngjashmëria është e madhe. Edhe aktorët pak a shumë nëse nuk janë të njëjtit i takojnë të njëjtit tabor. Qëllimi është i njëjtë, periudha në të cilën ndodhi është pak a shumë e njëjtë. Ka shumë përputhshmëri që është vështirë të besosh se janë të rastësishme. Krijimi i incidenteve, situatave të tensionuara në mënyrë artificiale që më pas prej atyre situatave të përfitohen poena politik dhe të fitohet në zgjedhje”, ka deklaruar gazetari Isen Saliu.
Sipas analistit Ramadan Ramadani, BDI-ja tenton të fshijë nga memorja e qytetarëve të gjitha tolerimet që i ka bërë për hirë të partneritit me VMRO-DPMNE, e që sipas tij shkojnë në llogari të deshqiptarizimit të Shkupit.
“Mendoj se kjo ishte një tentativë e pasuksesshme e BDI-së në një mënyrë të orvatet që të shpërlahet prej gjithë asaj që e ka si meritë, për shkatërrimin dhe deshqiptarizimin e Shkupit, një episodë e tillë është edhe vendosja e paralajmëruar e kryqit në lagjen Butel, në një mikro lokalitet ku më shumë jetojnë popullatë myslimane. Kjo pasi BDI, sidomos BDI e Shkupit është e vetëdijshme se krejt kjo do të mbetet sikur me rastin e kryqit në Vodno. Askujt sot nuk i kujtohet se kryqin në Vodno e ka vendosur Ljubço Georgievski ose ndonjë kryeministër i atëhershëm maqedonas, gjithë shqiptarët e Shkupit sot atij kryqi i thonë “kryqi i PDSH-së”, njëjtë edhe kryqit në Butel do t’i thonë “kryqi i BDI-së”, deklaroi analisti politik Ramadan Ramadani.
Para 5 vitesh, kjo kishë ishte shkaku për incidentin ndëretnik mes një grupi të rinjsh të etnitetit maqedonas dhe një grupi të shqiptarëve të organizuar nga Lëvizja Zgjohu. Pas incidentit, kalaja e Shkupit u mbyll për vizitorët për një kohë të gjatë, dhe tema rreth ndërtimit të kishës në opinion përnjëherë u shua.
Situata e tensionuar atë kohë u nxit pas thirrjes për një konferencë shtypi të Lëvizjes Zgjohu e cila kundërshtonte ndërtimin e kishës në kala. Kësaj konference i parapriu një grup protestuesish maqedonas nga orët e para të mëngjesit, të cilët ishin futur në brendinë e kishës që po ndërtohet, për të penguar ardhjen e grupit shqiptar. Policia nuk i lejoi protestuesit shqiptarë të udhëhequr nga Lëvizja “ZGJOHU!” që të afrohen tek objekti i kishës, për të mos u konfrontuar me grupin maqedonas. Por edhe pse fillimisht nuk kishte kontakt mes dy grupeve, përnjëherë ndodhi që të dy palët zë zbresin në terren të përbashkët dhe të rrihen…