Andi Lila: “Uroj besimtarët musliman një muaj të gëzueshëm Ramazani”.

“Uroj besimtarët musliman një muaj të gëzueshëm Ramazani”. Pikërisht me këto fjalë e mbylli konferencën e tij për mediat njëri prej dy personazheve kuqezi të ditës së sotme, Andi Lila. Tashmë në cilësinë e veteranit në Kombëtaren e Shqipërisë, Lila i është përgjigjur të gjitha pyetjeve në lidhje me formën që po gëzon ekipi, shanset ndaj Zvicrës si kundërshtari i parë, apo dhe mundësinë për të kaluar Grupin A. Si protagonist që ka diskutuar edhe përballje të tjera ndaj Zvicrës, Lila madje ka treguar edhe defektet e Përfaqësueses së Shqipërisë, duke identifikuar gjithashtu ndryshimin që duhet të reflektojë loja e Shqipërisë. “Gjëndja psikologjike e skuadrës është shumë e mirë, e shkëlqyer do të thoja. Presim me padurim, jo vetëm unë, por çdo shqiptar, ndeshjen e parë që kemi me Zvicrën. Do të japim maksimumin për të marrë më të mirën nga ajo ndeshje, pasi mundemi. Duhet të ecim me këmbë në tokë, pa i nënvlerësuar dhe pa i mbivlerësuar, por të ndjekim rrugën që na solli deri këtu. Të nderojmë fanellën dhe çdo shqiptar”, u shpreh Andi Lila. “Këto dy javë që jemi të grumbulluar e kanë forcuar frymën e grupit. Ndonjëherë na duket sikur jemi një skuadër klubi që shkon bashkë në stërvitje çdo ditë, na kujtohen kohët e mëparshme. Mendoj se ky fakt shërben në të mirë të grupit. Kemi kohë që stërvitemi dhe përgatitemi për këtë ndeshje. Mendoj se rezultati pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës do të ishte një hap i madh drejt kalimit të grupit”, deklaroi Lila. “Po të kthehemi pas në kohë, në përballjen e mëparshme me Zvicrën, konfrimoj se ne jemi mundur nga disa episode. Kësaj here mendoj se do ta nisnim dhe do ta zhvillonim lojën shumë të kujdesshëm. Personalisht do të jap maksimumin në çdo pozicion që do të më kërkohet nga trajneri që të aktivizohem, pasi sa herë që vesh fanellën e Kombëtares, më vjen natyrshëm që të jap maksimumin në çdo moment”, përfundoi futbollisti i Kombëtares Kuqezi, Andi Lila.

© telesport.al

Artikulli paraprakRamazani në Pakistan, temperatura të larta në disa qytete të vendit
Artikulli vijuesSkandal në Durrës/ Myslimanët agjërojnë, para xhamisë panair me birra e qofte (Video)