Angela Merkel, shënjestra e re e Vladimir Putin: A do ketë fundin e Hillary-t?

Nga Jochen Bittner*

Nuk është çudi që Rusia as nuk e vrau mendjen kur Presidenti Obama dëboi diplomatët e saj në përgjigje të përpjekjeve të Kremlinit për të manipuluar zgjedhjet amerikane.

Moska e kënaqur pret, duke ditur se më 20 janar Obama do të zëvendësohet dhe një admirues i saj do të zërë Shtëpinë e Bardhë e një mik i vjetër do të ketë në duar Departamentin e Shtetit.

Por ky ndryshimi lë pas një shije të hidhur për Rusinë.

Presidenti Vladimir Putin ka humbur edhe “djallin” që aq shumë donte. Është e lehtë të merret me mend se tani e tutje SHBA-ja nuk do të jetë armiku i preferuar i Rusisë. Pra, kush do të zërë vendin e politikanes “mostër”? Angela Merkel.

Kancelarja gjermane është shënjestra e përsosur.

Gjermania do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme vjeshtën e ardhshme dhe me rritjen e numrit të politikanëve simpatizantë të Moskës, ajo mund të konkurrojë për mandatin e saj të katërt si lidere e Europës duke dashur që t’i bëjë ballë Rusisë.

Që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Merkel ka qenë zëri më i fortë në ndëshkimin e Rusisë. Një vit më pas ajo mirëpriti një milion refugjatë në Gjermani, dhe nxiti pjesën tjetër të Evropës të bënte të njëjtën gjë, pra në këndvështrimin e rusëve etno-nacionalistë, “holloi” kulturën evropiane.

Ajo ende beson në një Union të bashkuar dhe të integruar, bastion i vlerave liberale dhe një mburojë politike dhe ekonomike ndaj Rusisë.

Duket se Rusia po planifikon t’i bëjë Merkelit dhe aleatëve të saj në vitin 2017 atë që i bëri Hillary Clinton dhe demokratëve të tjerë amerikanë në vitin 2016.

Në fund të fundit, vitin e kaluar të njëjtët hakera që u futën në kompjuterët e Partisë Demokratike, të njohur si “Fancy Bear”, apo “Sofacy Group”, sulmuan rrjetin e Parlamentit gjerman; Ata u akuzuan gjithashtu për vjedhjen e dokumenteve të deputetëve.

Çdo zbulim në lidhje me mënyrën se si Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane i jep Gjermanisë një panoramë të asaj që duket se do të jetë fushata më e vështirë e më rraskapitëse në historinë moderne gjermane.

Megjithatë kjo panoramë përbën avantazh për Gjermaninë. Ne, dimë diçka në lidhje me aftësitë teknike dhe metodave të rusëve dhe më e rëndësishmja, e dimë prejardhjen ideologjike të tyre dhe se si do të udhëhiqen sulmet. Këtu, ne mund të nxjerrim mësime të vlefshme nga Lufta e Ftohtë.

Ajo çfarë Rusia bën sot është pak a shumë versioni dixhital i asaj që ne gjermanët, para vitit 1989, e quanim “Zersetzung”. Termi është i vështirë për t’u përkthyer, por përshkruhet si ekuivalentja politike e asaj që ndodh kur hidhet acid në një material organik: Shkrirje dhe shpërbërje.

Metodat e “Zersetzung” kërkojnë të hedhin dyshimeve mbi normat themelore të rendit perëndimor liberal dhe institucioneve të tij; Të shtrembërojë dhe në këtë mënyrë të diskreditojë qëllimet e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe ekonomisë së lirë; Të dëmtojnë kredibilitetin e shtypit të lirë dhe zgjedhjeve të lira.

Mjetet e “Zersetzung” përfshijnë vrasjen e karakterit dhe, nëpërmjet përhapjes së gënjeshtrave dhe lajmeve të rreme, të krijojë një zonë gri dyshimi në të cilën faktet luftojnë për të mbijetuar.

I kemi parë të gjitha këto më parë, të zbatuara nga KGB-ja dhe Stasi i Gjermanisë Lindore: luftë psikologjike, përhapje e thashethemeve, skema për të korruptuar politikanët dhe pastaj ekspozimi i tyre si kriminelë.

Ata e përdorën këtë metodë si brenda vendit, ndaj disidentëve; Dhe jashtë tij, kundër armiqve perëndimorë.

Putin dhe ish kolegët e tij të KGB-së duhet ta dinë se, këtë herë, ne i kuptojmë më mirë hilet e tyre të pista, dhe se si ata kanë përditësuar “Zersetzung” për përdorim në internet.

Qeveria ka rolin e saj, por rol kanë edhe gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile. Ne gazetarët do të ushtrojmë presion ndaj kompanive si Facebook dhe Twitter, të cilat duhet të jenë vigjilente ndaj lajmeve të rreme. Por është po kaq e rëndësishme të jemi të qartë për ideologjinë që i kryen këto sulme.

Në shtator, gazeta ime, “Die Zeit”, u bashkua me televizionin “ZDF” për të zbuluar detajet e fushatës dezinformuese tepër të sofistikuar të Moskës. Patëm qasje në afërsisht 10 mijë email-e që tregonin se si ideologët e afërt me administratën e Putinit këshillonin qeverinë rebele pro-ruse në Ukrainën Lindore.

Në mesin e email-eve ishte një dokument që vendoste “udhëzimet tematike” të cilat duhet të ndiqnin mediat aleate të rebeleve, nëse do të ishte e nevojshme duke shtrembëruar faktet dhe duke publikuar lajme të rreme.

“Rusia e sotme nuk është më Rusia e viteve ’90, por po punon në mënyrë të patundur për të rivendosur forcën e Bashkimit Sovjetik. Rusia e sotëm është e barabartë me Perëndimin”, lexohej. “Po zhvillohet një luftë globale diplomatike. Por edhe Perëndimi po e vuan këtë luftë dhe është ende e paqartë se kush do të mbizotërojë”.

Pa dyshim urdhra të ngjashme u janë dhënë ushtrisë së hakerave që u urdhëruan të sulmojnë demokratët, dhe që tani po komplotojnë sulme ndaj Gjermanisë.

Është mjaft e qartë se kush do të humbasë.

Putin dhe shpifësit e tij duhet të jenë të vetëdijshëm se e vetmja gjë që do të korrin nga gënjeshtrat është një tjetër brez i humbur rusësh të cilët mund t’i shërbejnë vendit të tyre më mirë nëse do u jepej mundësia për sfida të ndershme dhe intelektuale.

Një qeveri që shpif ligësi për botën e jashtme, vetëm sepse kërkon ta bëjë Rusinë të ndjehet “e madhe sërish” është e dënuar të dështojë, siç ka dështuar më parë.

Artikulli paraprakMaqedoni: Sot skadon afati i krijimit të qeverisë
Artikulli vijuesLimaj: Të vrasin nëse dëshiron t’i shërbesh vendit