Aparati i blerë para 2 vjetësh për QKUK-në ende s’ka ardhur nga Austria

Janë bërë më shumë se dy vjet qëkur Qeveria e Kosovës, përmes një kredie të butë nga një kompani austriake, ka blerë aparatin e angiografisë, i cili pritet të vendoset në hapësirat e Klinikës së Kardiologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por i njëjti tash e dy vjet është duke qëndruar në Austri.

Kjo ngase QKUK-ja, fillimisht kishte pasur probleme për adaptimin e hapësirës, në të cilën do të vendosej ky aparat i rëndësishëm për kardiologët dhe pacientët
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar për Express-in se ka pasur disa probleme rreth vendosjes së kësaj aparature në hapësirat e QKUK-së. Për këtë çështje ata thonë se kanë nisur një auditim të brendshëm, Ani se punën është dashur ta realizojnë për 30 ditë pune.

“Ministria e Shëndetësisë në fillim të muajit janar 2018 ka nisur një auditim të brendshëm ekskluzivisht për çështjen e angiografit, i cili do të qartësojë në detaje problemet që janë shfaqur në adaptimin e hapësirës për vendosjen e kësaj aparature të rëndësishme për pacientët, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

E punimet rreth gjetjes së hapësirës për vendosjen e angiografit dhe adaptimin e tij në QKUK, kanë nisur në prillin e vitit që shkoi. Por, ato sipas MSH-së kanë rrjedhur ngadalë dhe me defekte të shumta.

“Punimet e nisura në muajin prill të vitit 2017 që në start kanë rrjedhur ngadalë si pasojë e mungesës së detajeve në dokumentacionin teknik, problemeve me projektimin se ku çka do të vendoset, pengesave të shkaktuara me ndërprerjen e ujit dhe gazit medicinal, dhe si rrjedhojë punëkryesi ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë ngase e ka pasur të pamundur të realizojë projektin”, deklarojnë nga MSH-ja.

E derisa këto probleme janë zgjidhur nga ana e MSH-së, ky aparat tashmë pritet të vendoset në pjesën e Kardiologjisë Invazive, e cila u përurua javën që shkoi.

Megjithëkëtë, Ministria e Shëndetësisë, që udhëhiqet nga Uran Ismaili, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur ky aparat do të sillet në Kosovë nga Austria.

Qendra Klinike Universitare e ka në dispozicion vetëm një aparaturë të tillë. Por e njëjta është në gjendje jo të mirë, andaj edhe pritjet e pacientëve për stenta dhe koronarografi janë të gjata. E me ardhjen e angiografit të ri – që pritet të ndodhë gjatë këtij viti – pacientët me sëmundje të zemrës nuk do të kenë më nevojë të trajtohen jashtë institucioneve publike.

QKUK-ja: Vendosja e angiografit, në interes nacional

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi, ka shpjeguar për Gazetën Express rreth rëndësisë së kësaj aparature. Ai thotë se rreth vonesave shteti duhet që në nivel nacional të diskutojë për këtë çështje.

“Ky aparat po e pret vendin ku me u vendosë, vendi është përcaktu nga ana e komisioneve. Problemi është që ‘Philipsi’ ka kërku disa gjëra që janë të domosdoshme që ai aparat të vendoset dhe të funksionojë siç duhet. Për këtë qe një vit është koha, e cila po kalon dita-ditës”, thotë Bekteshi.

Ai zotohet se me një aparaturë të tillë kosovarët më nuk do të presin për të kryer stentim apo për të shkuar jashtë vendit për shërim nga sëmundjet e zemrës.

“Dy salla të kardiologjisë invazive janë tejet të arsyeshme dhe të domosdoshme për një klinikë universitare. Arsyeja është që garantojnë vëllim sa më të madh, puna nuk do të ndalet në asnjë moment. Se nëse njëri aparat prishet ose nuk funksion, ne atëherë e kemi aparatin tjetër. Kjo çështje duhet të ngrihet në nivel nacional”.

“Ne presim, dhe e them me besueshmëri shumë të lartë, se me dy aparate ne nuk do të kemi fare listë të pritjes. Nëse dikush ka nevojë për intervenim do të kryhet brenda 24 orëve”, ka deklaruar drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi.

E derisa kjo aparaturë të sistemohet në Kosovë, saktësisht në QKUK, pacientët kosovarë do të detyrohen që me muaj dhe vite të presin për t’iu nënshtruar një operacioni në zemër të hapur apo edhe për të kryer një koronarografi. Lista e pritjes deri në muajin janar po del të jetë deri në 700 persona. Që nga java e dytë e shkurtit infarkti akut në QKUK të trajtohet 24 orë në ditë.

Sidoqoftë, intervenimet në stentim deri tash janë kryer deri në orën 19:00 pasdite, derisa gjatë fundjavës, festave dhe orët pas këtij termini nuk janë trajtuar fare nga QKUK-ja.

Periudha kur kanë munguar shërbimet, buxhetit të shtetit i ka kushtuar mbi 2 milionë euro në vit. /GazetaExpress/

 

 

Artikulli paraprakSejdiu: Po na kthehet Pallati i Rinisë
Artikulli vijuesPse ka ndryshuar klima?