Pas 52 vjetësh luftë civile, nënshkruhet marrëveshja historike për paqe në Kolumbi

0
130

Qeveria kolumbiane dhe rebelët e FARC firmosën marrëveshjen historike që i jep fund, pas 52 vitesh, luftës civile.

Lideri i rebelëve, Timoleon Jimenez, i njohur ndryshe si Timochenko, i kërkoi falje të gjithë atyre që janë dëmtuar nga konflikti.

“Dua të kërkoj falje për të gjithë dhimbjen që kemi shkaktuar gjatë kësaj lufte”, deklaroi ai, transmeton Tch.

Në ceremoni morën pjesë shumë liderë botërorë, mes të cilëve edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon. Të gjithë të ftuarit në ceremoninë në Kartagjenë ishin veshur me të bardha për të simbolizuar paqen.

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos dhe lideri i rebelëve përdorën një stilolaps në formën e plumbit për të firmosur marrëveshjen. Sipas tyre, stilolapsi-plumb simbolizon transformimin e vendit nga një Kolumbi e plumbave në atë të një të ardhmeje të edukuar.

Gjithashtu, kjo marrëveshje i lejon që rebelët të krijojnë partinë e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhje. “Asnjë nuk duhet të dyshojë që ne po hyjmë në politikë pa armë”, tha Timochenko.

Për t’u shndërruar në ligj, marrëveshja duhet të kalojë referendumin e së dielës. Sondazhet paralajmërojnë se kolumbianët janë gati që të aprovojnë marrëveshjen mes liderëve.

Ndërkohë, presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, tha se marrëveshja e paqes me rebelët e FARC do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do të ndihmojë vendin që të shërojë plagët sociale. Në një intervistë për BBC, Santos tha se lufta kushton më shumë se paqja.

Pakti nuk parashikon asnjë amnisti dhe FARC bashkë me ushtrinë qeveritare, kanë pranuar krijimin e gjykatave speciale për ngjarjet e 50 viteve luftë. Të shumtë janë ata që nuk besojnë se FARC do të heqë dorë nga aktivitetet e shumta kriminale dhe fitimprurëse. Në fund të fundit, 50 vjet konflikt përkthehen në dekada urrejtje dhe mosbesim, dhe këto do të jetë shumë e vështirë të kapërcehen.