APARATI I URODINAMIKËS EDHE NË KOSOVË

Në Klinikën e Urologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të enjten është prezantuar dhe funksionalizuar Aparati i Urodinamikës, i cili është vënë në funksion për herë të parë në Kosovë dhe paraqet njërin ndër aparatet më të avancuara në rajon.

Sipas mjekëve, aparati i Urodinamikës paraqet një hap shtesë drejt avancimit të shërbimeve mjekësore për pacientët kosovarë, të cilët shërbimet diagnostike të kësaj natyre nuk do të kenë nevojë t’i realizojnë jashtë Kosovës.

Dr. Fahredin Veselaj, drejtor i Klinikës së Urologjisë, ka treguar se pacientët, të cilët deri më tani kanë pasur probleme me fshikëzën urinore dhe ujë derdhjes në mungesë të këtij aparati janë detyruar të bredhin spitaleve jashtë Kosovës, duke shpenzuar kështu shuma të mëdha parash, ndërsa tash e tutje të njëjtat shërbime do t’i marrin në Klinikën e Urologjisë të QKUK-së.

“Për herë të parë në Kosovë me investimet që i ka siguruar QKUK-ja është sjell aparati i parë i Urodinamikës, me ç ‘rast po bëhet ekzaminimi i parë në Kosovë. Kjo aparaturë është më e mira në rajon. Deri më tani këto ekzaminime që tashmë po kryhen në QKUK, pacientët tanë është dashur t’i kryejnë jashtë vendit me një kualitet shumë më të dobët dhe një kosto financiare shumë të lartë. Aparati i ka përformancat më të mira dhe e kemi një profesor nga Italia, i cili përveç funksionalizmit të aparatit ka filluar edhe trajnimin me stafin e urologëve”, ka thënë ai.

Sipas Veselajt, deri më tani janë përdorur mënyra tjera të diagnostifikimit, të cilat nuk kanë dhënë informacione të duhura, duke bërë kështu që shpesh herë intervenimet kirurgjike tek pacientët të rezultojnë pa sukses.

Duke folur për stafin mjekësor të Klinikës së Urologjisë, Veselaj ka thënë se kjo Klinikë ka staf të mjaftueshëm dhe të përgatitur mirë, të cilët do të performojnë me këtë aparaturë, pasi që sipas tij, shumica prej tyre janë trajnuar në vendet jashtë Kosovës.

“Klinika e Urologjisë ka 12 urologë, që punojnë duke përfshirë, doktorë, profesorë, asistentë, mjekë të rinj të cilët janë të specializuar në këtë lëmi, por në fillim neve na duhet ndihma në kuptim të kompletimit të aparaturës, mjeteve dhe materialit teknik dhe për t’i kuptuar metodat e punës. Pjesa e madhe e stafit ka qenë për edukim jashtë vendit dhe kanë parë intervenime të tillë, por ndryshe kur i sheh në një klinikë jashtë e ndryshe kur duhesh të përformosh këtu. Për këtë kemi një ndihmë të madhe të dr. Sergio nga Italia”, ka thënë ai.

Për të ndihmuar mjekët që ta përdorin këtë aparaturë, në Kosovë po qëndron edhe profesor Sergio Emiliani nga Italia, i cili për dy ditë do të trajnojë stafin e këtushëm. Ai tregon se kjo aparaturë në Itali ka hyrë në funksion qysh në vitin 1945 dhe e njëjta prodhohet në këtë shtet.

“Një lloji i tillë i ekzaminimit i ndihmon kirurgut para dhe pas procedurës kirurgjike dhe i ndihmon atij që të marr vendimin e duhur për ndërhyrjen e caktuar kirurgjike. Në Kosovë kam takuar urologë shumë të përgatitur dhe të trajnuar dhe jam shumë i sigurt që ata do të përfitojnë nga ky aparat dhe janë të gatshëm që të manipulojnë me një aparaturë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas mjekëve pacientët që kanë nevojë për ekzaminime të tilla urinore në Kosovë janë të shumtë, por shpresojnë se aparati që QKUK-së i kushtojë hiç më pak se 38 mijë euro, do të jetë në shërbim të tyre dhe të urologëve, të cilëve do t’ua lehtësojë punën dhe do t’u ndihmon ne diagnostikimin e sëmundjeve të tilla./kp/.kohaislame

Artikulli paraprakDYSHOHET PËR VARREZË MASIVE NË KRUSHË TË MADHE
Artikulli vijues“Zhytuni” në thellësi të oqeaneve me Google Maps