Arabia Saudite dhe Egjipti lidhen me urë mbi Detin e Kuq

Mbreti i Arabisë Saudite ka njoftuar ndërtimin e një ure përgjatë Detit të Kuq, që lidh vendin e tij me Egjiptin. Mbreti Salman deklaroi se ura do të nxisë marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve aleate.

Ai e bëri njoftimin gjatë ditës së dytë të vizitës në kryeqytetin egjiptian, Kajro. Arabia Saudite dhe vende të tjera të Gjirit e kanë mbështetur egjiptin me miliarda dollarë që kur presidenti Abdul Fattah al Sisi mori pushtetin në vitin 2013, pas protestave masive që mbushën rrugët.

Arabia e sheh gjithashtu fqinjin e saj si një partner jetik në përpjekjet për të ndërtuar një bllok vendesh mike me dendësi sunite, për t’i bërë ballë edhe rritjes së influencës rajonale të Iranit shiit.

Vizita e mbretit Salman vjen pas një tendosjeje të marrëdhënieve të verifikuar së fundmi, për shkak se presidenti Al Sisi ka mbajtur një qëndrim të butë ndaj homologut sirian Bashar al Assad dhe në një kohë kur Rijadhi po kërkon më shumë mbështetje nga Kajro në luftën e tij kundër rebelëve në Jemen.

Vetë Al Sisi deklaroi se ura do të marrë emrin e mbretit saudit dhe theksoi se, ajo do të shënojë një kapitull të ri mes Egjiptit dhe Arabisë.

“Bie dakord me vëllanë tim, shkëlqesinë e tij, presidentin Al Sisi për të ndërtuar një urë që të lidhë dy vendet. Ky hap historik, që do të lidhë dhe dy kontinentet, Afrikën dhe Azinë, do të jetë një transformim cilësor që do të rrisë tregtinë mes palëve në nivele të paprecedenta”, tha ndër të tjera mbreti.

Një projekt i tillë është propozuar disa herë më parë dhe vlerësimet e atëhershme për koston flisnin për 3 deri në 4 miliardë dollarë, por asnjë detaj tjetër nuk është zbuluar.

Artikulli paraprakRënie e ndjeshme e numrit të refugjatëve në Gjermani
Artikulli vijuesPse gjumi i tepërt dëmton shikimin?