Argjentinë, në pranga “pasardhësi” i Escobarit

Një prej trafikantëve më të kërkuar në botë të drogës, kolumbiani Henry de Jesus Lopez, u arrestua ditën e mërkurë në Argjentinë.
I pagëzuar gjerësisht si pasardhësi i famëkeqit Pablo Escobar dhe i njohur gjerësisht me nofkën “Mi Sangre” (gjaku im), Lopez u prangos ndërsa drekonte në një restorant në kryeqytetin Buenos Aires.

“Mi Sangre” është drejtues i kartelit të “Urabenos”, i cili ka nën kontroll pothuajse të gjithë trafikun e kokainës dhe drogave të tjera në veri të Kolumbisë.

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, e ka shndërruar luftën ndaj klaneve mafioze si ai i “Urabenos” në një përparësi kombëtare, transmeton TCH.

Nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin shoqëror “Twitter”, Santos falënderoi autoritetet argjentinase për “efikasitetin dhe punën e shkëlqyer” që çoi në arrestimin e të shumëkërkuarve.

“Kjo është një goditje e re e rëndësishme që i japim krimit të organizuar, në luftën për zhdukjen e tij nga Kolumbia”, deklaroi Santos. /Telegrafi/

Artikulli paraprak22 OJF thirrje BE-së të ndalojë produktet në kolonitë izraelite në Palestinë
Artikulli vijuesDoganierët kapen 1.5 kg ari kontrabandë