Arkëtari akuzon kryetarin për keqpërdorim fondesh

Arkëtari i Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe të Moshuarve të Kosovës, Muharrem Mehmeti, po e akuzon kryetarin e kësaj Federate, Riza Shala, për keqpërdorim të fondeve. Por ky i fundit në mënyrë kategorike mohon një gjë të tillë

Muharrem Mehmeti, arkëtar i Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe të Moshuarve të Kosovës (FSPMK), ka dërguar në Polici emrin e kryetarit të kësaj Federate, Riza Shala. Mehmeti po pretendon se Shala ka keqpërdorur fondet e vitit 2015 të FSPMK-së. Ai ka thënë se kryetari ka tërhequr mbi gjashtë mijë euro para nga llogaria bankare e Federatës dhe të cilat nuk dihet saktë se si e ku janë shpenzuar, pasi që nuk ka dhënë llogari për to.

Ndërsa, thotë se në raportin e shpenzimeve figurojnë më pak se 3 mijë euro të arsyetuara që janë bërë pagesa përmes arkës. Ndërkohë, kryetari Riza Shala thotë se nuk i jep raport arkëtarit për paratë që i tërheq nga banka.

Ai ka thënë se një raport të veten ia ka dërguar Ministrisë së Mirëqenies Sociale, e cila ndan nga 750 euro në muaj për këtë Federatë.

“Arkëtar jam emëruar që në vitin 2007 dhe deri më tani e kam ushtruar këtë detyrë, por ky kryetari ma ka mbyllur derën një ditë duke më thënë se je i përjashtuar.

Në llogari të Federatës Sindikale figurojnë se janë shpenzuar afër 10 mijë euro, ndërsa në arkë figurojnë se janë harxhuar afër 3 mijë euro. Pra, me letra ka mbulueshmëri se janë shpenzuar fiks 2853 euro. Për vetëm kaq pare kam lëshuar fatura unë.

Paratë tjera i ka tërhequr nga banka kryetari i Sindikatës, Riza Shala, dhe nuk dihet se për çka janë shpenzuar sepse nuk ka raportuar për to. Pra, si arkëtar nuk jam në njohuri ku janë shpenzuar paratë tjera”, ka thënë arkëtari i FSPMK-së.

Ai ka pohuar se ka qenë tek disa institucione, ku ka kërkuar ndihmë që të shkojnë në zyre të kryetarit dhe ta auditojnë atë. “Të gjitha këto mjete i ka derdhur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Lidhur me keqpërdorimet e mundshme të parave nga ana e kryetarit e kam lajmëruar Ministrinë e Punës.

Këshilltari i ministrit më tha, më mirë ndrequni me të se të hyjmë ne u del punë atij e ty. Pra, kjo Ministri i derdh në llogari për nevoja të Sindikatës nga 750 euro në muaj. Po ashtu kam qenë në Polici dhe te Avokati i Popullit”, ka shtuar tutje Mehmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se posedon fakte që buxheti është keqpërdorur në vitin 2007, në shfrytëzimin e fondeve të dhëna nga Projekti i ATRC-së nga zyra amerikane e USAID-it, ku edhe kjo e fundit i kishte ndalur financimet./zeri/.kohaislame

Artikulli paraprakOpozita i kthehet punës së komisioneve
Artikulli vijuesÇollaku udhëton në Strasburg për vizat