Arrestohen "shefat" e Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore

Policia e krimeve ekonomike të hënën i ka arrestuar dy zyrtarë të lartë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale.
Ilir Dushi, kryeshef i AKPM-së dhe Haki Ejupi, drejtor i licencimit në këtë institucion, të hënën rreth orës 13:30 minuta janë nxjerrë nga ky Agjencion duke u futur në dy vetura civile të Policisë së Kosovës.

Fotoreporteri i Tribunës ka arritur të bëj edhe fotografi gjatë momentit sa dy zyrtarët e AKPM-së futeshin në veturat e policisë.

Kurse një burim i gazetës brenda Policisë së Kosovës ka thënë se mbi Ejupin dhe Dushin janë ngritur dyshime se i kanë bërë presion ish shefit të zyrës ligjore të AKPM-së Bersan Kolgecit që të bëj një rekomandim për lëshimin e banderolave për produktet e kompanisë “Prima Pharm”, ndonëse prodhuesit i kishte skaduar licenca për praktikat e mira të prodhimit të ilaçeve.

Edhe pas këtyre rekomandimeve, Dushi e as Ejupi nuk kishin urdhëruar heqjen nga tregu të këtyre ilaçeve. Ndërkohë, përveç raportimeve për këtë çështje, Tribuna ka raportuar po sot edhe për një hetim tjetër që po bëhet lidhur me zyrtarë të lartë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, biznesmenë kosovarë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, raporton “Tribuna”.

Kjo për shkak të një skandali që ka ndodhur muaj më parë e që ndërlidhet me importin e albuminave dhe insulinave.

Gazeta ka mësuar se hetimet që po i bën prokuroria, ndërlidhen me pranimin dhe vënien në qarkullim të 17 serive të insulinave dhe tetë serive të albuminave, ndonëse ato nuk kishin fare leje importi. Këto produkte që dyshohet se janë futur në mënyrë të paligjshme në treg konsiderohet të kenë një kosto mbi 1.2 milionë euro. /Tribuna/

Artikulli paraprakFadil Maloku: Kushtetuesja ta shkarkoj Jahjagën
Artikulli vijuesGoogle Nexus 5 së shpejti në treg?