Fadil Maloku: Kushtetuesja ta shkarkoj Jahjagën

Anëtari i deritashëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku ka dërguar vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në Gjykatën Kushtetuese, pasi pretendon se ajo e ka shkelur aktin me të lartë juridik me vendimin për shkarkimin e tij nga pozita e anëtarit të KQZ-së.
Maloku tha se pret që të jetë shkaktar që gardiani i Kushtetutës të shkarkoj presidenten Jahjaga për këtë vendim, që sipas tij, është antiligjor, antikushtetues, ani-kombëtarë dhe anti-kosovarë.

Profesorin universitar para hyrjes në Gjykatën Kushtetuese po e përkrahnin edhe disa të rinj, që kishin në duar pankarta me mbishkrimin “Vendim Politik”, “Vendin antiligjor”, “Vendim Antikombëtar”, e tjera, raporton KosovaPress.

Ai tha se do të bëjë ankesë në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, tek Avokati i Popullit dhe Gjykatën Kushtetuese.

“Ju jeni dëshmitar që kanë kërkuar shumë institucione, shumë subjekte dorëheqjen e saj. Fjala është për shkarkim, sepse ajo duhet të shkojë në shkarkim dhe besojë se ky institucion duhet ta shkarkoj sikurse i ka shkarkuar dy president tjerë”, ka thënë Maloku.

Ndërsa, në anën tjetër presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ajo me vendimin për shkarkimin e Malokut, ka vepruar në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Ligji është shumë i qartë, Kushtetuta është shumë e qartë dhe vendimi i presidentes së Republikës së Kosovës ka qenëkonform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Besoj që vetëm e keni informimin dhe e dini se çka specifikisht përcaktohet dhe si bëhen propozimet dhe emërimet e anëtarëve të KQZ-së”, ka theksuar ajo.

Maloku tha se është i bindur se Gjykata Kushtetuese do të merr një vendim që është në anën e ligjshmërisë, pasi presidentja e shkeli Kushtetutën dhe ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Vendimi i saj është antiligjor, antikushtetues, antikombëtar, anti-kosovar. Arsyet janë të shumta, dhe jam i detyruar t’i kërkoj të drejtat e mia edhe si qytetar edhe si anëtar i KQZ-së, të një institucioni tërësisht të pavarur, sidomos pika 61.3, pika E, ku autoriteti i anëtarit të KQZ-së në tre muajt e parë para fillimit të zgjedhjeve dhe tre muajt e fundit pasi të certifikohen zgjedhjet është pozicion që mund ta konteston as presidentja as askush”, ka thënë Maloku. /Telegrafi/

Artikulli paraprakPKK e ka ndërprerë tërheqjen e ushtarëve nga Turqia
Artikulli vijuesArrestohen "shefat" e Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore