Arrestohet personi që kishte përfituar afro 9 mijë euro nga mashtrimet

0
166

D.F, 34-vjeçar, nga Podujeva, akuzohet se ka mashtruar tre persona për përfitim personal, duke u shkaktuar dëme në vlerë prej afro 9 mijë eurosh. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 34-vjeçari është arrestuar të premten, pasi ishte akuzuar nga të dëmtuarit se nuk e ka mbajtur “premtimin” për t’i regjistruar familjarët e tyre në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Ai që nga viti 2007 ai ka përfituar në këtë mënyrë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar, pasi që i ka mashtruar tri viktimat meshkuj shqiptar, duke u shkaktuar dëme në vlerë rreth 8 mijë e 900 euro”, thuhet në raportin policor.

Njëri nga të dëmtuarit, A.A, 29-vjeçar, nga Podujeva, i ka humbur 4 mijë euro si pasojë e mashtrimit. I dëmtuari ka treguar se si në fillim të shtatorit të vitit 2010, ia kishte dhënë “mashtruesit”, 400 eurot e para për ta regjistruar një të afërme në Fakultetin e Edukimit.

“ Ka qenë 2 ose 3 shtator dhe unë i kam pasur dokumentet e së afërmes sime në veturë. D.F, personalisht më ka thënë se ai mund ta regjistronte atë, mirëpo për këtë punë i duhen 400 ose 500 euro”, ka treguar 29-vjeçari i dëmtuar. Ai ia kishte dhënë parat “në dorë”, mirëpo nuk kishte mbaruar me kaq. Pas katër ditësh, i dyshuari D.F, e kishte thirrur prapë dhe ia kishe marrë edhe 500 euro të tjera me pretekstin se i duheshin para shtesë për ta koordinuar punën me profesorë. “Ai më ka thënë se i ka edhe 10 persona të tjerë, të cilët duhet t’i regjistronte, mirëpo po i duhen para shtesë. Kështu unë i kam dhënë, duke menduar se kur ata 10 personat do t’ia japin paratë ai do të m’i kthente”, ka rrëfyer i dëmtuari. A.A, tregon se ai është njeri besimtar dhe duke u nisur “ nga vetja”, i ka besuar edhe atij. “ Më bënte be në kokë të babait të tij se do të m’i kthente paratë. Dhe kështu pak nga pak m’i ka marr 4 mijë euro, me të njëjtin pretekst”, ka shtuar i dëmtuari. Mirëpo, pasi që vlera e borxhit kishte arritur në 4 mijë, A.A. kishte filluar t’ia kërkonte paratë. Përmes kërcënimeve telefonike dhe atyre “ballë për ballë”, D.F i ishte shmangur kthimit të parave. “ Kur fillova me i kërkua paratë, ai më thoshte se është njeri që qet haraç, dhe se nuk do të m’i kthente asnjëherë. Por unë shpresoja se herë do kur do t’i kthejë”, ka thënë A.A.

Po ashtu i dyshuari D.F, i kishte kërcënuar edhe shokët e të dëmtuarit. “Shokut tim i ka thënë se do të ma merrte gjithë pasurinë. Dhe ka kërkuar nga ai që të mos përzihej në këto punë”, ka shtuar A.A, sipas të cilit i njëjti person u ka borxh shumë njerëzve të tjerë, të cilët i ka mashtruar njësoj. “ Unë personalisht e di që ju ka borxh edhe tre personave të tjerë”, ka thënë A.A. Ai shpreson se do të zbardhen të gjitha rastet e mashtrimeve të D.F, dhe se drejtësia do t’ia japë dënimin e merituar.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari, nga Prokuroria komunale e Prishtinës, ka bërë të ditur se për të pandehurin D.F. ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit lidhur me mashtrimin që i ka bërë të dëmtuarit A.A në vitin 2010. Ndërsa ka shtuar se dyshohet që i ai ka bërë edhe mashtrime të tjera nga viti 2007.

“Të dielën, është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit, për të pandehurin. Jemi duke pritur për përgjigje nga ana e gjykatës kompetente. Hetimet janë duke vazhduar, ngase i pandehuri dyshohet se ka bërë edhe mashtrime të tjera”, ka thënë Bajraktari. /koha/kohaislame