ANKARA (AA) – Në deklaratën para Prokurorisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjenerali Hulusi Akar tha se gjatë ditës së tentativës për grusht shteti gjeneral-majori Mehmet Dişli i ka thënë atij: “Komandant, po fillon operacioni, do t’i marrim të gjithë. Brigadat dhe batalionet janë nisur. Do ta shihni pas pak”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërsa Akar i është përgjigjur me fjalët: “Rruga të cilën kanë marrë është e gabuar dhe se janë duke u fundosur në baltë gëlltitëse”, ndërsa u ka kërkuar që “të paktën të tregojnë burrëri dhe t’i japin fund kësaj pune pa e përfshirë askën dhe duke evituar vdekjet”. “Megjithatë, nuk munda t’i bind”, u shpreh Akar.
– “Nëse doni, mund t’iu mundësojmë të bisedoni me Fetullah Gylenin” –
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Akar tha se “Hakan Evrim (Komandanti i Bazës së Katërt Ajrore Akıncı) më tha diç sikur: “Nëse doni, mund t’u mundësojmë të bisedoni me Fetullah Gylenin”.
“Unë e kundërshtova duke i thënë se ‘Nuk dua të bisedoj me askën’. Më pas, të gjithë pos Akın Öztürk e braktisën dhomën”, thotë Akar.
“As që e kam prekur tekstin e komunikatës jolegjitime të cilin dëshiruan ta nënshkruaj dhe ta lexoj. Madje m’u duk e parëndësishme dhe qesharake përderisa e lexonin. Kur ngjarja mbaroi, më kishte ngelur në mendje se emri me të cilin këta tradhtarë e kishin emërtuar juntën ishte Unioni i Atdhedashësve, ndërsa dihet se emri i tyre ishte Këshilli i Paqes në Atdhe. Hidhërimi i madh dhe zemërimi brenda meje nuk u ndal aspak. Nuk thanë asgjë në lidhje me atë se nga kush përbëhet këshilli në fjalë”, u shpreh Akar në deklaratën para Prokurorisë.
“Besoj se planifikuesit dhe zbatuesit e kësaj tentative për grusht shteti janë anëtarë të kësaj organizate. Mendoj se faktori më i rëndësishëm në këtë tentativë të çmendur ka qenë se ata e kishin kuptuar se në punimet gjithëpërfshirëse, serioze dhe të hollësishme në lidhje me këshillin e planifikuar për muajin gusht do të pësonin disfatë të rëndë”, tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hulusi Akar.