Autoritetet e OKB-së shprehin shqetësimin për politikat jonjerëzore të Bullgarisë ndaj refugjatëve

Një deklaratë e shkruar e komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, ngre shqetësimin mbi politikat dhe praktikat e Bullgarisë në lidhje me emigrantët dhe refugjatët. Deklarata vjen pas dy vizitave të personelit të tij në Bullgari gjatë tetë muajve të fundit.

Trajtimi nga Bullgaria i emigrantëve dhe refugjatëve që arrijnë në vend mund të jetë duke shkelur ligjin ndërkombëtar, ka paralajmëruar ai.

Politikë jonjerëzore dhe e papranueshme është quajtur rënia e të ardhurve në Bullgari në një situatë ku as nuk janë në gjendje të cilësohen si refugjatë, por as janë në gjendje të largohen që andej.

“Një nga problemet më serioze është se thuajse të gjithë njerëzit të cilët hyjnë në Bullgari në mënyrë të parregullt paraburgosen,” vë në pah komisioneri i OKB-së.

“Edhe më keq, ata mund të procedohen dhe të burgosen, për një vit a më shumë, nëse përpiqen ta lënë vendin. Akti i lënies së vendit është kriminalizuar pavarësisht së drejtës së çdokujt, nën ligjin ndërkombëtar, për ta lënë një vend, edhe të tijin,” vijon raportimi.

Kështu, ata që nuk futen në kategorinë e refugjatëve, lihen pa rrugëdalje, teksa nuk lejohen të largohen. “Kjo është qartësisht jonjerëzore dhe e papranueshme,” thotë Zeid Ra’ad al-Hussein.

“Ekipi im,” ka parashtruar zyrtari i OKB-së, “është informuar se sulmet dhe abuzimet ndaj refugjatëve dhe emigrantëve ndëshkohen rrallë, veçanërisht nëse janë kryer nga policë, nga roje kufiri apo nga punonjës të tjerë shtetërorë.”

Ai thekson mungesën e vullnetit të qeverisë bullgare për t’iu kundërvënë këtyre tendencave alarmuese.

Në fund, komisioneri i lartë për të drejtat e njeriut ka shtuar, “Rritja e ksenofobisë, islamofobisë dhe racizmit janë sot mes kërcënimeve më shqetësuese për të drejtat e njeriut në Europë.” /tesheshi.com/

Artikulli paraprakMos fajësoni selefijtë për ISIS-in
Artikulli vijuesHomoseksualët: Të dënohet deputetja Mesila Doda