Homoseksualët: Të dënohet deputetja Mesila Doda

Disa shoqata që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve kanë kërkuar pranë Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi gjobitjen e deputetes Mesila Doda, sepse sipas tyre kjo e fundit i ka diskriminuar gjatë fjalimit të saj mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë për mosndryshimin e Kushtetutës që do të hapte udhën për martesat gay.

 

Homoseksualët ankohen veçanërisht për një paragraf të fjalimit të saj:

Po ju drejtohem atyre që besojnë pak, ose aspak, që janë jo praktikantë apo laikë. Ky ndryshim kushtetues që po na e imponojnë do snobë që aplikojnë për projekte hedh në erë familjen dhe familjet e tjera që dalin nga kjo familje, hedh në erë shoqërinë e natyrisht atë që ne e konceptojmë Atdhe. Nuk ka kjo lidhje me reformën, aspak, por është një tjetër eksperiment pionier që do të bëhet mbi shqiptarët. Ju kanë zgjedhur si projekt pilot. Familjet tuaja si kavje.

Sipas këtyre shoqatave kjo deklaratë nuk mund të bëhet në sallën e Kuvendit, e cila mbahet nga taksapaguesit.

Është hera e parë në historinë e pluralizmit shqiptar që një grup i organizuar kërkon të vendosë censurën në aulën e parlamentit, ku kërkohet që në mënyrë ligjore të përcaktohet se cila është liria e shprehjes e një ligjvënësi.

Një tjetër paradoks është se shoqatat e homoseksualëve kërkojnë gjobitjen e deputetes, bazuar pikërisht në një institucion të ngritur prej një ligji antidiskriminim që është votuar edhe nga deputetja në fjalë.

Ende nuk ka një deklaratë nga ligjvënësja e vënë në akuzë jo për të parën herë nga homoseksualët.

Artikulli paraprakAutoritetet e OKB-së shprehin shqetësimin për politikat jonjerëzore të Bullgarisë ndaj refugjatëve
Artikulli vijuesMendësia materialiste si instrument në gjykimin e njerëzve