Autoritetet në Suboticë alarmojnë: Më shumë se gjysma e migrantëve, vijnë nga Kosova (video)

Policia Kufitare e Serbisë në rajonin e Suboticës, vetëm gjatë muajit janar ka kapur mbi 500 migrantë, të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për në Hungari.

Tomislav Latki, shef i shërbimit për parandalimin e krimit kufitar në policinë e këtij rajoni, thotë se numri i migrantëve gjatë muajit janar është në të njëjtin intensitet me dy muajt e fundit të vitit të kaluar.

 

Vetëm gjatë 20 ditëve të parë muajit janar, sipas Latkit, prokuroria ka ngritur 18 vepra penale për trafikim të qenieve njerëzore dhe ka sekuestruar 20 automjete.

 

Gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit të kaluar si dhe janarit të këtij viti, Latki thotë se është shtuar në mas të madhe numri i migrantëve që vijnë nga Kosova.

 

Vetëm gjatë këtij muaji, sipas tij, policia ka kapur mbi 500 migrantë, ku më shumë se shumica prej tyre, ishin nga Kosova.

 

“Në të gjitha aksionet që i kemi pasur në parandalim të migrimit ilegal, kemi ngritur 60 akuza për vepra penale, kemi sekuestruar mbi 60 vetura dhe 3 kombi-busë të cilët janë përdorur për transportim të migrantëve”, ka thënë Latki.

 

“Vitin e kaluar janë kapur 3900 migrantë ilegal në pikat kufitare. Në këtë fillim vit po vërehet një rritje e migrantëve jo të rregullt, ku vërehet një rritje e atyre nga Kosova. Kjo rritje e migrantëve nga Kosova është vërejtur nga tetori i vitit të kaluar dhe i njëjti trend është duke vazhduar edhe gjatë këtij viti”.

 

“Gjatë kësaj periudhe, për 20 ditët e parë të janarit, ne kemi ngritur 18 vepra penale për trafikim të qenieve njerëzore dhe kemi sekuestruar mbi 20 automjete. Në mesin e këtyre automjeteve, më së shumti janë ato që merren me veprimtarinë e taksive”.

 

“Gjithashtu do të theksoj se që nga fillimi i vitit, pra gjet muajit janar nga policia kufitare e rajonit të Suboticës, janë kapur mbi 500 migrantë ilegal, ku më shumë se gjysma e tyre janë nga Kosova, ndërsa të tjerët janë kryesisht nga Siria, një numër më i vogël nga Afganistani dhe shteteve tjera nga Afrika dhe Azia”. (lajmi.net)

Artikulli paraprakDënohen me burgim të përjetshëm Popovic dhe Beara për gjenocid në Srebrenicë
Artikulli vijues“Foreign Policy”, akuza të rënda për ish-ambasadorin amerikan në Kosovë