Autostrada Kosovë-Maqedoni ndërtohet me dinamikë të përshpejtuar

Me dinamikë të përshpejtuar realizohet ndërtimi i autostradës “Arben Xhaferi“, e cila e lidh Kosovën dhe Maqedoninë.

Ela Ruçi, zëdhënësja e kompanisë „Bechtel Enke“, e cila i kryen punimet, thotë se me përmirësimin e kushteve kohore janë intensifikuar edhe punimet.

Sipas saj, për momentin në këtë projekt janë angazhuar rreth 800 punëtorë.

– Është duke u punuar përgjatë tërë autostradës, deri në kufirin me Maqedoninë. Të gjithë sektorët janë të angazhuar me punë. Gjithsesi në periudhën e verës rriten edhe aktivitetet ndërtimore. Qëllimi jonë është të punohet përgjatë tërë autostradës që të respektohen afatet e parapara, ka deklaruar Ruçi.

Edhe përfaqësuesit qeveritar vërtetojnë që rrjedhat e punës në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë, zhvillohen sipas dinamikës së paraparë.

Rama Çupeva, drejtore e sektorit për infrastrukturë rrugore në ministrinë kosovare për infrastrukturë deklaroi që nga aspekti teknik nuk do të ketë probleme deri në përfundimin e punëve.

– Realizimi i këtij projekti filloi në vitin 2014, ndërsa sipas planit, punimet duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Kjo gjithsesi do të varet edhe prej mundësive buxhetore, shton Çupeva.

E tërë autostrada është në gjatësi prej 60 kilometra, ndërsa do të investohen 600 milionë euro. Autostrada „Arben Xhaferi“ është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në kufirin Kosovë-Shqipëri, e cila nga ana tjetër lidhet me autostradën Durrës-Kukës në kalimin kufitar Morinë, në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Artikulli paraprakBorë në Suedi
Artikulli vijuesZgjedhjet antikushtetuese